Ballina Aktuale Përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Preshevë dhe Bujanoc

Përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Preshevë dhe Bujanoc

SHPËRNDAJE

 Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e akredituar në Beograd, ka dërguar përfaqësuesit e saj, në Preshevë dhe Bujanoc, për të mësuar nga afër se me çfarë problemesh përballet populli i Luginës së Preshevës.

Zonja e parë e legjislativit në Preshevë, Ardita Sinani, kryetare e Kuvendit Komunal, dje e njoftoi sekretarin politik të Ambasadës amerikane, Jeremi Loung dhe bashkëpunëtorët e tij, për gjendjen e vështirë të shqiptarëve të kësaj komune, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Gjatë bisedimeve, gjithashtu, u kërkua që Ambasada amerikane, të rikthejë vëmendjen ndaj Preshevës, me theks të veçantë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilat shkelen sistematikisht nga Beogradi zyrtar. Në këtë drejtim, ajo, kërkoi që të ushtrohet një presion nga faktorët ndërkombëtarë te Serbia, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve shqiptarë, të realizohen konform konventave evropiane.

Gjatë ditës së sotme, në ambientet e godinës së Komunës së Bujanocit, kryetari i saj, Shaip Kamberi, priti me kënaqësi përfaqësuesit e lartë të Ambasadës Amerikane, Jeremy Long dhe Ksenija Lazoviq.

Vlerësimi i gjendjes politike në Bujanoc dhe zhvillimit ekonomik lokal, ishin disa nga temat, që u bisedua gjatë këtij takimi në Bujanoc.

Kryetari Kamberi, i njoftoi të pranishmit edhe për ndryshimet e planifikimit të buxhetit komunal, “duke e vlerësuar si të pa mjaftueshëm për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pa një qasje më serioze të pushtetit qendror në Beograd”.

Në fund të këtyre takime, palët u dakorduan, që në të ardhmen të shtohen vizitat e këtij lloji, të cilat ndikojnë shumë në aktualizimin e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, me angazhime të përbashkëta në zgjidhjen  e tyre./ njofton jetapress/