Ballina Aktuale Republika e Shqipërisë dyfishon prezencen ushtarake në Kosovë, paralajmërohen stërvitje të përbashkëta...

Republika e Shqipërisë dyfishon prezencen ushtarake në Kosovë, paralajmërohen stërvitje të përbashkëta ushtarake Shqipëri-Kosovë

SHPËRNDAJE

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Haki Demolli, u prit sot me nderime të larta ushtarake në vizitë zyrtare në Tiranë, nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Të dy ministrat diskutuan për çështje të interesit të përbashkët dhe për Planin e Bashkëpunimit Dypalësh në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, ministri Demolli dhe ministrja Kodheli, biseduan edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në veçanti për situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Në takim u fol gjithashtu edhe për dyfishimin e numrit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Po ashtu, në takim u bisedua edhe për vizitën e fundit të sekretarit të NATO-s që i bëri Kosovës, ditët e kaluara, ku u theksua nga ana e Jens Stoltenberg përkrahja e vazhdueshme, të cilën po jep NATO në sigurimin e paqes në Kosovë dhe u theksua se edhe në të ardhmen trupat e KFOR-it do të qëndrojnë dhe do t’i ofrojnë një siguri të plotë Republikës së Kosovës. Pas takimit mes dy ministrive u firmos edhe Plani i Bashkëpunimit Dypalësh për vitin 2017, i cili fokusohet në stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta.