Ballina Opinione Gjeopolitika rajonale e vitit 2018

Gjeopolitika rajonale e vitit 2018

SHPËRNDAJE

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Tashmë shënuam ndarjen e dy viteve dhe filluam një rrugëtim të ri. Festa u shoqërua jo vetëm me fishekzjarre, por edhe me një qetësi të admirueshme. Sikur të zgjaste kështu në 365 ditët e vitit që sapo hymë! Festat sjellin gëzime, por jeta nuk është festë, jeta është sfidë, përpjekje, sakrifica, suksese, dështime e mbi të gjitha përplasje për interesa të individëve, grupeve sociale, por edhe kombeve. Rajoni ynë prej gati dy dekadash, që kur mori fund konflikti në Kosovë, është në rrjedhat historike të integrimeve euro-atlantike. Vendet e rajonit erdhën më 2018 më të bashkuar, por gjithësesi ende të ndarë, më afër strukturave euro-atlantike, por gjithësesi me shpejtësi të ndryshme të integrimeve, erdhën si vende që synojnë paqen, por gjithashtu duke mbart konfliktet e shkuara. Ndërkaq duket se aleancat dhe pozicionet gjeopolitike po i rikthehen traditës së vjetër.

Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi janë bërë anëtare të NATO-s. Megjithatë kjo arritje historike ka filluar të zbehet. Faktorë të fuqishëm anti-NATO po shfaqen në rajon, ndërsa udhëheqësit e korruptuar po joshen nga lidhjet me këta faktorë. Vatrat e konfliktit janë ende aty. Në Shqipëri dhe Maqedoni vijon të thellohet konflikti politik, për pasojë në vitin e sapo filluar mund të priten konflikte sociale, të cilat mund të çojnë, sidomos në Shqipëri, në zhvilime të reja politike. Mali i Zi është i ndarë që prej korrikut 2006, kur u shpall pavarësia e tij nga Serbia, në dy pjesë. Mazhoranca properendimore dhe opozita prolindore. Opozita nuk ia ka dalë që ta sfidojë mazhorancën, por me ndihmën e Rusisë ia ka dalë që të tronditë themelet e shtetit të ri. Sa do të zgjasë ky konflikt politik me sfond gjeopolitik? Eshtë ende heret të thuhet. Por sfidat janë të shumta.

Ashtu si në historinë e shekullit të kaluar edhe në këto kohë, Beogradi dhe Serbia vazhdojnë të sillen si qendra e botës ballkanike për të krijuar idenë se “Pa Serbinë nuk ka e nuk mund të ketë një Ballkan të qetë,, në paqe, siguri e stabilitet”! Ajo provokon paqen në raportet e saj me Bosnjë-Hercegovinën, me Kosovën dhe deri diku edhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë. Në Bosnjë ka investuar politikën e bllokimit të reformave, duke nxit Milorad Dodikun në lojën e orientimit antiperendimor. Në Kosovë Serbia mban peng njohjen e shtetësisë së saj, madje pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara, provokon me një angazhim tej kapaciteteve të saj diplomatike për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë provokon në veri të Mitrovicës, me qëllim që “ta lodhë” bashkëinë ndërkombëtare e ajo të pajtohet me projektin e ndarjes së Kosovës. Ajo mban peng krijimin e ushtrisë dhe këtë vit që lamë pas mundi ta kushtëzojë krijimin e qeverisë së Prishtinës me votat e deputetëve të Listës Srpska. Ndarjet dhe konfliktet politike në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi veç tjerash ndikohen dhe mbështeten nga Beogradi, Moska e kryeqytete të tjera të interesuara për përçarjen e popujve ballkanikë.

Dhe gjithçka ndodh se në Beograd funksionon ende formula e Çubrilloviçit dhe Milosheviçit për “Të drejtën serbe mbi popujt dhe kombet e tjera të ish-Jugosllavisë”! Udhëheqësit serbë kanë shtuar retorikën anti-NATO dhe po garojnë për aleanca të dy e trefishta të balancuara midis Moskës, Brukselit dhe në miniaturë edhe Ankarasë. Serbia po distancohet nga orientimi atlantik i saj, duke sfiduar përpjekjet e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, sot president i RFGJ, Frank – Walter Steinmeier për t’i dhënë Beogradit statusin e Partneritetit për Paqe në NATO. Të gjitha këto zhvillime mund të sjellin ndryshime të reja në gjeopolitikën ballkanike të vitit 2018. Shqipëria dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë do të bëjnë trysni mbi udhëheqësit e tyre të korruptuar që të thellojnë përpjekjet për integrime euro-atlantike dhe lidhje më të ngushta me SHBA-të. Ndërsa qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë do të ndjehen më të izoluara për shkak të veprimit të ligjit dhe ndëshkimit të peshqve të mëdhenj.

Ndaj do të priten ndryshime politike të rëndësishme, të cilat ka mundësi t’i hapin rrugë thellimit të marrëdhënieve me botën e Perendimit sidomos me SHBA-të. Mazhorancat jane fragile si në Shqipëri edhe në Kosovë e Maqedoni, prandaj dhe krizat politike mund të kërkojnë zgjedhje të reja dhe ndryshime në qeverisje. Në Maqedoni për të forcuar pozitat e Zaev, në Shqipëri dhe në Kosovë për të ndëshkuar kokëfortësinë antiperendimore dhe korrupsionin e liderëve politikë në pushtet. Serbia do të jetë në kërkim të kohës së humbur “për të fituar gjithçka në tavolinë” sa i përket Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Eshtë fjala për territore dhe rritjen e ndikimit politik në këto dy vende.

Diskutimet e brendshme e gjithçka tjetër janë pjesë e strategjisë për të fituar sa më shumë territore dhe jo për të rënë dakord me zgjidhjet që sollën shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kjo strategji përfshin lojën mashtruese të Beogradit në raport me perendimin dhe bashkëpunimin me Moskën e faktorë të tjerë antiperendimorë. Në këtë situatë ojë Breogradi do të afrohet më shumë me Moskën, sidomos në planin politik dhe ushtarak. Bashkimi Europian ndërkohë ka humbur interesin e integrimit atlantik dhe përpiqet të zëjë një pozicion neutral midis Moskës dhe Uashingtonit. Kjo e favorizon politikën e provokimeve e të afrimit me Kremlinin të Beogradit. Dhe si të mos mjaftonin konfliktet e njohura, është rishfaqur konflikti kroato-slloven për kufirin detar midis tyre. Një konflikt i tillë ekziston edhe midis Shqipërisë dhe Greqisë,, si dhe midis Greqisë dhe Turqisë. Vetë anëtarja e BE-së, Greqia, po merr një orientim anti-europian, mesa duket nga frika e Turqisë. Presionet e Ankarasë në të gjitha shtetet e rajonit janë shtuar.

Dhe jo pak udhëheqës të korruptuar të këtij rajonit, përfshirë ata të Tiranës dhe Prishtinës, janë detyruar që t’i nënshtrohen këtyre presioneve, duke sfiduar politikat globale e rajonale të SHBA-ve. Turqia e Erdogan për të zezën e saj duket se e ka bërë zgjedhjen në mes SHBA-ve dhe Rusisë. Nëse rajoni nuk do të orientohet seriozisht dhe ndershmërisht në integrimet euro-atlantike, atëherë ndarja dhe përçarja midis popujve ballkanikë do të thellohet dhe kësisoj do të rikthehen interesat e fuqive tradicionale, përplasja e të cilave i ka vënë gjithnjë flakën bashkëjetesës së popujve të Ballkanit Perendimor, duke ndikuar në gjeopolitikën e gjithë Europës Juglindore. Për këto arësye imediate për shqiptarët është të pozicionohen qartë në krah të SHBA-ve dhe disa vendeve të BE-së!