Ballina Aktuale Bujanoc: Komunat ndërkufitare presin fondet e projekteve evropiane

Bujanoc: Komunat ndërkufitare presin fondet e projekteve evropiane

SHPËRNDAJE

Javën e parë të shkurtit në Bujanoc, u zhvillua një takim mes kryetarit të komunës Shaip Kamberi dhe një delegacioni nga Komuna e Likovës së Maqedonisë , të prirë nga kryetari i saj Erkan Arifi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Qëllimi i këtij takimi ishte mundësitë e bashkëpunimit ndërkomunal: Bujanoc – Likovë, lidhur me projektet ndërkufitare të mbështetura nga Bashkimi Evropian, i cili pritet në fillim të këtij viti implementimin e tyre  në Maqedoni dhe Serbi.

Shaip Kamberi, gjatë këtij takimi theksoi se do të jenë disa projekte me rëndësi për zhvillimin e turizmit dhe mirëmbajtjes së ambientit si dhe disa projekte të tjera të infrastrukturës, që do të financohen nga fondet e Bashkimit Evropian.

Kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi deklaroi se komuna që ai udhëheq është në përgatitje e sipër rreth programit të Unionit Evropian apo të IPA fondeve.

“Shpresojmë që në bashkëpunim me kryetarin Kamberi, të arrijmë suksese sa më të mëdha për të dy këto komuna”, u shpreh kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili ka fundi i vitit të kaluar ishte nikoqir i takimit të kësaj natyre me kryetarin e Bujanocit Shaip Kamberi.

Në kuadër të këtij takimi, u bë e ditur se Komuna e Likovës, në këtë drejtim ka përfituar nga fondet evropiane mbi dy milion euro në realizimin e tetë projekteve ndërkufitare me komunat e Bullgarisë dhe Kosovës.

Meqenëse Komuna e Bujanocit e vlerësuar nga ndërkombëtarët si rajon me klimë të përshtatshme investive, e cila paraqet trekëndëshin magjik që lidh natyrshëm komunat e zonave kufitare mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, do të jetë në fokus të ndihmave evropiane.

Vlen të ceket se takime të ngjashme kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, ka zhvilluar edhe me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me të cilin është dakorduar që  në kuadër të mundësisë së bashkëpunimit ndërkufitar, të aplikojnë bashkërisht në fondet e Bashkimit Evropian, njofton jetapress.