Ballina Aktuale Festa e pavarësisë 10 vjeçare

Festa e pavarësisë 10 vjeçare

SHPËRNDAJE

Qeveria e Kosovës, për ta festuar ditën e pavarësisë së saj, nga buxheti rezervë i shtetit, paska ndarë 600 mijë euro.

Me këto mjete financiare, Kosova 10 vjet shtet, duhet ta shtrijë gëzimin e saj në gjithë territorin e republikës, të shpallur para 10 vjetësh, më 17 shkurt 2008.

Ç’është e vërteta, këto para të ndara për shënimin me dinjitet, të pavarësisë së Kosovës, nuk janë të shumta, kur dihet se shpallja e pavarësisë ishte një fitore historike e një rrugëtimi të shenjtë të sakrificës mbinjerëzore për liri dhe pavarësi të popullit kosovar dhe bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Por, nga ana tjetër nga grupe të caktuara heqja e Flamurit Shtetëror të Kosovës dhe zëvendësimi i tij me Flamurin Kombëtar, pastaj mos-shtrirja e pavarësisë së Kosovës ne çdo cep të territorit të saj, gjykata special, demarkacioni i kufirit, mos-formimi i ushtrisë e problem të tjera të natyrës politike dhe ekonomike, bëjnë me menduar se një republikë si kjo e Kosovës, nuk e ka luksin për harxhime astronomike, qofshin ato edhe me karakter shtetëror.

Fondi prej 600 mijë euro, sikur të ishte ndarë për familjet e rrezikuara ekonomikisht, apo për shqiptarët e Luginës së Preshevës, me siguri se destinimi i tyre do ta kishte një kuptim më të arsyeshëm, më të qëllimshëm dhe më të dobishëm.

Sado që na ngopet syri me pamje vizuele, stolira e na mbushet barku ushqime të lloj-llojshme, gjatë gazmendit dhe ahengut, që na sjell festa shtetërore, janë do gjëra, të cilët nuk e bëjnë zemrën plot, për t’u ndier komod e me dinjitet.

Pavarësisht nga këto portal informative Jetapress, ua uron të gjithë shqiptarëve kudo që janë, festën e madhe të pavarësisë së Kosovës, 10 vjet shtet!/jetapress/