Home Aktuale “Marshi për bashkim” të Luginës, kundër Kosovës!

“Marshi për bashkim” të Luginës, kundër Kosovës!

13
SHARE

Shoqata „Çamëria“ në Kosovë, për nesër, më 10 nëntor, në Prishtinë, ka paraparë një  “Marshi për bashkim” të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

Si duket kjo “Marshutë”, e cila për qëllim ka sensibilizimin e çështjes së bashkimit të Luginës me Kosovën, na del si një “Marsh kundër “arkitektëve” Vuçiq-Thaçi për copëtimin e Kosovës”, e jo për  zgjidhjen e krizës”.

Slogani tashmë i njohur se “Lugina do zgjidhje”, nuk matet me hapat e një “Marshi”, i cili fillon nga Prishtina në drejtim të Luginës, e jo anasjelltas, kur dihet se Luginës askush nuk mundur t’ia ndaloj: Referendumin, luftën, protestat e lëre më marshimet….

Shtohet pyetja pse nga Shoqata „Çamëria“ të organizohet ““Marshi për bashkim” të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës?!

Krejt do të ishte në rregull edhe nga Shoqata „Çamëria“ të merret një nismë e tillë për Luginën, kur dihet se në shumë rrugëtime të kësaj shoqate kanë marrë pjesë aktivistë nga Luginë, duke shkuar madje edhe në zona të thella të Greqisë e deri në Holandë.

Por, Lugina nuk është si Çamëria, ajo ka nevojë për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme, për një mbështetje institucionale nga faktorët relevant shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, në mënyrë që çështja e saj të vendoset në tryezën e Brukselit, në fazën e finalizimit të procesit të dialogimit Kosovë-Serbi.

Është paksa problematike një Marsh i tillë, qoftë edhe i bashkimit, në kohën kur Parlamenti i Kosovës, ka ditë që debaton rreth një Rezolute për dialogun e Brukselit dhe çështjen e Luginës, pastaj përfolja e vazhdueshme rreth opsioneve: bashkim, shkëmbim, ndërrim e korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Sidomos opsioni i fundit shumë aktual i korrigjimit të kufijve, që është keqpërdorur, qoftë me vetëdije, apo pa vetëdije, nga qarqe të orkestruara mirë në Kosovë dhe rreth saj, më shumë e ka dëmtuar çështjen Lugina se sa e ka ndihmuar sensibilizimin e saj.

Aktorët e këtyre skenareve, të sponsoruar nga Greqia, Serbia e shtete të tjera anti-shqiptare, duke keqinterpretuar idenë e korrigjimit të kufijve, kanë nxjerr një mësim të keq për Luginën, duke e sjell Kosovën para krizave parlamentare e tani edhe me Marshe, kinse për bashkim, para një a sprove të rëndë në prag të liberalizimit të vizave dhe proceseve finale të bisedimeve në Bruksel.

E nesërmja do të tregoj se çfarë fshihet pas një Marshi, i cili po vjen jo vetëm për të koklavitur proceset e sensibilizimit të Luginës, por edhe për t’i sjell kokë-qarje Kosovës në prag të festive kombëtare, vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut e së fundmi edhe në finalen e proceseve të bisedimeve shqiptaro-serbe në Bruksel. /Jetapress/