Home Lajme Nga Vendi Hoxhaj: Nuk lejojmë që Serbia të ushtrojë agresion diplomatik dhe ta përdorë...

Hoxhaj: Nuk lejojmë që Serbia të ushtrojë agresion diplomatik dhe ta përdorë Kosovën si koloni ekonomike

11
SHARE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për t’i vendosur 100% taksë doganore prodhimeve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe dialogun me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj tha se Kosova i beson dialogut dhe i beson Bashkimit Evropian se ai mund të jetë vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, siç thekson ai, jo edhe me kushtin që Serbia të pretendojë që të ketë raporte normale me Kosovën vetëm kur bëhet fjalë që ta përdorë atë si koloni ekonomike.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj thotë se vendimi i Qeverisë për rritjen 100 për qind të taksës doganore për produktet e Serbisë, nuk është i orientuar kundër dialogut.

“Nuk do të ketë asnjë ndikim të drejtpërdrejtë në dialog, ka të bëjë me një fushatë, të cilën Serbia po e bën në mënyrë agresive në raport me Kosovën, duke ushtruar agresion diplomatik. Ka të bëjë me një politikë armiqësore që Serbia po e ndjek në raport me shtetin e Kosovës, në Ballkan. Për këtë, ne duhet që sikurse në çdo vend të botës, të përdorim instrumente, masa ekonomike, me qëllim që ta mbrojmë sovranitetin tonë dhe të arrijmë efekte konkrete në politikën e jashtme”, thekson Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj vlerëson që dialogu i Brukselit ka dhënë maksimumin në kornizat dhe parametrat konkret të normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.

Sipas tij, dialogu ka bërë që e ardhmja evropiane e Serbisë të kalojë përmes Kosovës dhe kjo e fundit duhet ta përdorë këtë situatë dhe Kapitullin 35, i cili e kushtëzon Serbinë për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Ne duhet ta vazhdojmë atë rrugë që e kemi nisur më 2011. Por, përtej kësaj, sjellja ndërkombëtare e Serbisë, në raport me Kosovën, duke ushtruar një agresion diplomatik në një plan global, politikat armiqësore që ndjek në rajon në raport me Kosovën dhe me vendet tjera të rajonit, si dhe me fqinjët e tjerë të Serbisë, është rast që duhet të duhet të jetë një lloj alarmi i zgjimit për partnerët perëndimorë, se si ta shfrytëzojnë një moment të ri dhe të arrijnë marrëveshje, e cila duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe asgjë më pak se kjo”, deklaron Hoxhaj.