Home Histori Dy heronjtë e flamurit drejt Vlorës, përmes Myzeqesë…

Dy heronjtë e flamurit drejt Vlorës, përmes Myzeqesë…

18
SHARE

Naun Kule

Pasi bujtën në hotelin “Kostandinopoja” të mikut të tij, Azis Pashë Vrioni, të premten, më 22 nëntor 1912, Ismail beu u mbajti një fjalim përfaqësuesve të popullit të Durrësit i cili kishte rreth 6,000 banorë. Të shtunën, më 23 nëntor, para hotelit u mblodhën shumë njerëz. Ishin edhe nja njëzetë kuaj, një qerre me buaj e mbuluar me rrogoz, ku vunë ca valixhe të mëdha që s’i ngarkonin dot mbi kuaj. Tek dera e hotelit sollën një kalë ngjyrë gri të larë e të krehur për bukuri. Pranë i vendosën një karrige. Në kalë hipi Ismail bej Qemali. Ishte fytyrë çelët dhe u ra yzengjive në mënyrë simbolike… Kështu u nis karvani prej 40-50 vetësh i shoqëruar nga ca xhandarë dhe banorë sehirxhinj. Peshkopi grek i Durrësit, Jakovi, nuk lejoi që Flamuri i Pavarësisë të ngrihej në qytetin e Durrësit. Greku dhespot nuk lejoi gjithashtu që ortodoksit e Durrësit të dërgonin përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Vlorës. Në Mbledhjen e Pavarësisë, Durrësi u përfaqësua nga tri myslimanë dhe një katolik – Dom Nikollë Kaçorin.

“…Bashkë me neve prej Durrësit u nisnë edhe delegatët e Tiranës e Krues si zoti Abdi Murat Toptani e Mustafa Kruja, Musta Ali Ibrahimi e Abaz Çelkupa, etj…

…Kur mbrrimë tek ura e Draçit (Kavajë), u poqmë me zotin Nebi Sefën që po vinte prej Lushnje. Zoti Nebi, më mban pak më mbrapa dhe më thotë se e kishte dërguar Emin bej Vokopola dhe komandanti i gjindarmërisë në Lushnjë kapiten Ibrahim Borshi. Këtyre u kishin komunikue telegramin që kishte ardhë prej komandantit të përgjithshëm të ushtrisë të Janinës i cili shkruante se: ‘Ismail Qemal beun me gjithë shokët ose të gjallë, ose të vdekë ta shtini në dorë…’

Posa merr këtë urdhën, komandanti i gjindarmërisë të Lushnjes, me një anë dërgon në Gramsh të Lushnjes një fuqi nën komandën e nëntoger Mefail Agait, për ta zënë Ismail benë, dhe në tjetër anë dërgon zotin Nebi Sefën për të na lajmu ne…Më thonin që ta lajmoj Ismail beun që për ta shpëtue veten, të kthejë dhe të hyjë në Konsullatën austriake . (Nga kujtimet e shoqëruesit dhe firmëtarit Qemal bej Karaosmanit)

***

Paçka kërkesës dhe kërcënimit me urdhërarrestin që e priste në Lushnjë, apo joshjes për t’u kthyer e strehuar në Konsullatën austriake në Durrës, Ismail beu nuk pranoi asnjërën, as tjetrën. Përkundër këtyre, ai iu dorëzua fatit dhe njerëzve që e pritën dhe e bindën me besnikërinë, përkushtimin dhe trimërinë e tyre.

– Ç’mendim ke ti?- më pyeti Ismail beu në fshatin Gosë të Kavajës, kur i tregova urdhër arrestin që na priste në Lushnjë – shkruan shoqëruesi dhe këshilltari i tij, Qemal bej Karaosmani.

– A ka udhë tjetër?, pyeti Ismail beu.

– Udhë ka, Ismail bej. Por dimri, shiu dhe balta…

– Na qoftë për hajër pra… Ecim…!

Vazhduam udhëtimin dhe mbërritëm në Çermë. Ismail beu me disa shokë bujtën tek Dervish beu dhe shokët e tjerë tek i vëllai, Behxhet beu. Këtë natë nuk bëmë bisedim tjetër veçse punën e rrugës; nëse dilesh nga Karatopraku i Myzeqesë a jo.

Disa thonin dilet e disa jo. Në këto e sipër thirrmë një bujk që kishte ardhur nga Divjaka dhe e pyetëm. Na tha se kishte dalë me shumë zor dhe se uji arrinte deri në shalë të kalit. Vendosëm të ecnim nga Karatopraku i Myzeqesë por të merrnim edhe një fuqi të konsiderueshme me vete për çdo të papritur.

U nismë të nesërmen (e diel, 24 nëntor,1912-N.K.)

Mbërrim në Remën e Sulzotajt. E kaluam me shumë zor duke u lagur por qemë me fat se nuk kishte vorbulla…

“ …E diela e 24 nëntorit ishte një sfidë e vërtetë për Ismail beun dhe shoqëronjësit e tij. Përmbytjet e kishin kthyer tërë fushën në një kënetë të madhe. Shiu binte papushim. Rruga nuk dukej dhe vende-vende ngjante sikur njerëzit po ecnin nëpër det…Siç na tha bujku nga Divjaka, uji arrinte deri në shalë të kalit…”

Peripecitë dhe rreziqet e këtij udhëtimi na i kanë lënë të shkruara disa nga shoqëruesit dhe bashkëudhëtarët e Burrit të Flamurit…

***

Myzeqarët e udhëhoqën karvanin e Pavarësisë anë kodrave, në perëndim të Ardenicës dhe në lindje të Divjakës e Karavastasë; gjithnjë drejt jugut, nga kodrat e shën e Premtes, përmes fshatrave Kryekuq-Kamenicë-Mizë-Zharrnec-Gur-Babunjë, Vanar-Libofshë. Kush mund ta udhëhiqte udhën në këto rrugë pa rrugë? Doemos, ata që e njihnin, vendasit. Dihet që ndër shoqëruesit e Ismail beut kishte burra te ditur e trima si Gurakuqi, me shokë. Por asnjeri s’mund të njihte pikërisht atë për të cilin shkruan vet Ismail Qemali në kujtimet e tij:

“…mora një shteg të sigurtë nga nuk vëzhgoheshim… Udhërrëfyesit këmbëhollë lëviznin plot shkathtësi sikur të vallëzonin…

Këta njerëz i njihnin përmendsh shtigjet, ngecjet, baltovinat dhe kalimet e sigurta. Këta dinin mirë ta udhëhiqnin udhëtarin në kohë duke ia llogaritur saktë vonesat që sillte moti i lig dhe kurthet e tjera të udhës…

 …Tërë ato ditë binte shiu rrebesh. Qëndruam një natë në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut dhe natën tjatër në Libofshë…Ç’kemi parë dhe ç’kemi hequr në këtë udhëtim, roman më vete… Fushët e Muzeqesë, të mbytura nga uji dukeshin si një det i paanë… Kemi ecur kaluar pesë-gjashtë orë me këmbët në ujë gjer në gju. Udhë të gjata me baltra të thella që mezi e nxirrte këmbën kali…Kur duallmë në Durrës ishim 40-50 shpirt; të gjithë të armatosur me maliherë. Duke shkuar nëpër fushë të Muzeqesë…u bëmë qindra…

Natën e kaluam në Libofshë, në konakët e Nedin bej Leskovikut…

…Për Ismail beun, paçka se nuk ishte i ri (68 vjeç), vendosmëria me të cilin e përballonte këtë udhëtim mes baltës, ftohtit dhe ujit,tregonte një gjë shumë të rëndësishme. Ai e dinte se ishte duke bërë histori…!

Ndaj uji dhe balta, sado e lodhëshme t’u dukej udhëtarëve të tjerë, Ismail beu nuk e shihte pengesë pasi, projekti që synonte Ai, ishte shumë i madh; ishte jetik për fatet e kombit…Ishin të paktë ata që e kuptonin se njeriu që kishin në krah në atë llucë e baltovinë, ishte një burrë shteti i politikave të mëdha…Për shumë vite deputet i parlamentit turk dhe këshilltar shumë i afërt i Sulltan Abdyl Hamitit, fare pranë trurit që drejtonte perandorinë osmane…”

***

Ditën kur Ismail Qemali zbriti në Durrës, Isa Boletini u nis nga Dibra. Katër ditë më vonë, më 25 nëntor, 1912, ndërsa Ismail beu gdhihej në Libofshë, Isa Boletini mbërriti në Lushnjë ku drekoi bashkë me 104 trimat që e shoqëronin.

“…Populli i Lushnjes së vogël, na priti me nderime të mëdha…Shtruan drekë për të gjithë ne, krijuan kushte pushimi  dhe ushqim për kuajt…Na i këmbyen kuajt e drobolisur… deri edhe këpucët e grisura me të reja… Lushnja lajmoi telegrafisht Vlorën dhe Elbasanin për mbërritjen tonë…Rreth 20 djem myzeqarë, kalorës të armatosur, prin karvanin e malësorëve për në fshatin Imshtë (komuna Bubullimë). Komiteti kombëtar i Lushnjes kishte vendosur që kalimi i malësorëve për në Fier, të bëhej të nesërmen pasi të darkonin në fshatin Imësht…”

Dy burrat e mëdhenj të kombit, ndërsa nxitonin drejt njeri tjetrit, bujtën këtej e përtej kodrave të Ardenicës, mu në kërthizë të Myzeqesë aq pranë, edhe…larg; rreth 20 kilometra.

Këtë ditë, e hënë 25 nëntor, 1912- Ismail Qemali u nis nga Libofsha, kapërxeu lumin Seman në lundrën e Petovës, drekoi tek Vrionët në Fier dhe në darkë hyri në Vlorë. (rreth orës 21oo)

Ndërsa rruga e Boletinit dhe trimave që e shoqëronin mori më shumë kohë, për të mbërritur në Vlorë, më 29 nëntor.

Isa Boletini niset nga Lushnja për të kapur Fierin, por fusha nën ujë dhe shiu i vazhdueshëm i detyroi të bujtin në fshatin Imësht. Të nesërmen mbërritën në Fier ku bujtën gjithashtu në konakët e Vrionasve.

“…Nga postëtelegrafa e Fierit më 27 nëntor, Isa Boletini telegrafoi Ismail beun në Vlorë duke e bërë me dije ta shpallte Pavarësinë e Shqipërisë edhe në emrin e tyre…”

Pikërisht në këtë dimër të egër dhe fatbardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët, Myzeqeja dhe myzeqarët u bënë jo vetëm Udhëkalimi drejt Pavarësisë kombëtare, por edhe një Urëlidhjeje mes Kosovës dhe viseve të tjera të Shqipërisë, përfaqësuar trimërisht nga dy burrat e Flamurit dhe të pavarësimit tonë; Ismail Qemali dhe Isa Boletini.

…Mirëpo, në pesëdhjetët e pas Luftës së Dytë, asnjë fjalë nuk u shkrua për këto akte trimërore të myzqarëve, asnjë fjalë për këta mikpritës e atdhetarë, në këto pragkthesash të historisë shqiptare.

Historiografia jonë ka shkruar plot faqe për hotelet luksoze të Stambollit, Vjenës, Bukureshtit e Triestes, ku bujtën dhe negociuan patriotët tanë. Por asnjë fjalë nuk u shkrua për “hotelet luksoze e të sigurta” të qyteteve dhe tri fshatrave të Myzeqesë-Lushnjës-Fierit-Çermës-Libofshës dhe Imshtës, ku heronjtë tanë të Flamurit që e bënë Shqipërinë, të mezi mbërritur e mbledhur ndër to, bujtën të mirëpritur dhe të mbrojtur me trimëri nga qindra banorë të kësaj krahine të cilët, e shumuan karvanin e Pavarësisë nga “…40-50 vetë që duallmë në Durrës, në qindra vetë të armatosur me maliherë tek ecnim  në fushët e Myzeqesë…”