Ballina Aktuale Ultimatumi i Amerikës

Ultimatumi i Amerikës

SHPËRNDAJE

Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e menjëhershëm të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, siç është thënë, për ta rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut. Për më tepër, kjo Ambasadë ka paralajmëruar se asnjë shtet nuk mund të marrë vendime kundër interesave strategjike të SHBA-së pa u ballafaquar me pasoja. Por, ministri Endrit Shala ka thënë për “Zërin” se tarifa 100 për qind nuk do të hiqet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Insistimi i Qeverisë së Kosovës për të mos e shfuqizuar taksën prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina mund t’i cenojë raportet bilaterale mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kështu ka paralajmëruar Ambasada e SHBA-së në Prishtinë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast për disa herë me radhë ka kërkuar heqjen e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe.

Në një komunikatë të lëshuar për medie nga Ambasada thuhet se asnjë shtet nuk mund të marrë vendime kundër interesave strategjike të SHBA-së pa u ballafaquar me pasoja, shkruan Gazeta “Zëri”.