Ballina Lajme Nga Rajoni Haradinaj: Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn...

Haradinaj: Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore

SHPËRNDAJE

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur miratimin e Projektligjit për Buxhetin 2019.
Kreu i ekzekutivit ka premtuar se ky vit do të jetë vit i suksesit dhe zhvillimit për Kosovën.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore, përcjell lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore.

E përshëndes miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 përqind.

Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti. Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet.

Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat.

Janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike! RH /Lajmi.net/