Ballina Aktuale Kosovizimi i Sanxhakut, apo boshnjakëzimi i Luginës?!

Kosovizimi i Sanxhakut, apo boshnjakëzimi i Luginës?!

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Politika në dy binarë e Kosovës, karshi Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës, nuk po reflekton pozitivitet, madje po jep rezultate negative. Nuk mund të tërhiqet një paralele mes dy krahinave, të cilat administrohen nga Serbia, e që kanë të bëjnë me dy etnitete të një bërthame, por që njëra prej kohësh është lëkundur në drejtim të një asimilimi të plotë e tjetra në drejtim të një spastrimi etnik nga trojet stërgjyshore.

Mbështetja paralele politike nga Kosova, në favor të subjektit politik, të cilin e drejton Muamer Zukorliq dhe atij të mëhershmit të Sulejman Uglaninit, me motivacion shqiptarizimin e Sanxhakut, për momentin, sa është naive, po aq edhe pakuptimtë dhe e rrezikshme.

Një politikë e tillë pa koncept, pa program dhe pa një strategji mbarëkombëtare, jo vetëm sjell huti dhe përçarje në Sanxhak, por ajo më shumë nxjerr telashe në Luginë të Preshevës.

Aventurat politike

Beogradi, me një politikë të tillë aventuristike të Kosovës ndaj Sanxhakut, po nxjerr një mësim të mirë për ndërkombëtarët, duke përligjur veprimet e saj me përçarje në Sanxhak dhe me zvogëlim të elementit shqiptar në Luginë, në favor të elementit serb. Ana tjetër e kësaj aventure të politikës shkurtpamëse të Kosovës ndaj Sanxhakut dhe Luginës, kinse me shqiptarizuar njërën dhe me bashkuar tjetrën, ka forcuar më shumë Serbinë në veri të Kosovës.

Në këtë mënyrë, loja e “ruletit rus”, në mes Sanxhakut, Luginës dhe Veriut të Kosovës (përmes një katastrofe humanitare), ka hyrë në një fazë të rrezikshme për proceset negociatore mes shqiptarëve dhe serbëve, duke i shtyrë ato në pafundësi.

Rrymat fetare e politike në Sanxhak, të drejtuara nga Muamer Zukorliq e të mbështetura nga Bashkësia Islame e Kosovës, në krye me Naim Tërnavën, ka arritur të depërtoj në Luginë të Preshevës, duke krijuar paralelizma fetarë dhe duke mbjell përçarje ndërshqiptare në këtë krahinë të stërmbushur me problem politike dhe ekonomike.

Zvarritja e dialogut

Beogradi, në këto lojëra po del fituese e trefishtë, qoftë me Veriun e Kosovës, qoftë me Sanxhakun dhe Luginën, që po i shfrytëzon për qëllime politike dhe diplomatike, duke nxitur tensione ndërkufitare e ndërshtetërore.

Këto lojëra pa kufij, po e fuqizojnë ndikimin e Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe po e dobësojnë dhe minimizojnë procesin e dialogut në mes shqiptarëve dhe serbëve, për t’i dhënë fund problemeve shekullore.

Humbja në kohë, për të gjetur një zgjidhje të politikës shqiptaro-serbe, gjithashtu po i shkon për shtati edhe ndërkombëtarëve, për t’i futur hundët në çështjet tona dhe për të qenë gjithmonë të pranishëm, kinse për t’na ndrequr dhe rregulluar sipas shijes dhe stilit të tyre.

Jo shumë rrallë edhe politika ndërkombëtare në këtë drejtim ka nxitur probleme artificiale se sa ka ofruar ndonjë zgjidhje më elegante. Duke i marrë të gjitha këto parasysh, sot kemi shumë probleme në Luginë, të cilat vijnë nga të gjitha anët për të ndezur situatën këto hapësira deri dje të përfshira nga flakët e konflikteve të armatosura.

Prandaj, Bashkësia Ndërkombëtare, duke t’i ketë parasysh këto lojëra që vijnë nga qarqe të ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të krijoj një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në këtë pjesë të Evropës, pa të cilat nuk ka alternativë.