Ballina Aktuale Belgizare Hyseni- Kryeziu, një pedagoge dhe artiste e përkryer

Belgizare Hyseni- Kryeziu, një pedagoge dhe artiste e përkryer

SHPËRNDAJE

Portret

Nuk thuhet kot se fjala mësues, është diçka e shenjtë, një mision fisnik dhe edukues. Në këtë drejtim, dikur një filozof thoshte: “Shpirtvegjël janë ata që punën e mësuesit e konsiderojnë të vogël!”.

Për të mësuar më shumë rreth rolit dhe rëndësisë së mësuesit për Portalin Jetapress, nga Bujanoci, zonja Belgizare Hyseni- Kryeziu, midis tjerash thotë : “Mësimdhënia është një mision i vështirë, i cili nuk mbaron kurrë, sepse çdoherë do jetë diçka tjetër për të mësuar, diçka të re. Jo, rastësisht profesioni ynë kërkon medimin e vazhdueshëm, permanent, apo gjatë gjithë jetës”. 

Kur flet kështu Belgizarja, nuk e ka vështirë, meqë ajo ka një përvojë 19 vjeçare në arsim, duke përhapur dije e dituri në Shkollën Fillore “Metush Krasniqi” në Roganë të Dardanës. Kjo mësimdhënëse e pedagoge e mrekullueshme, ka lindur në Breznicë të Komunës së Bujanocit, është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton dhe vepron Roganë.

Fillimisht, ka mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, për të vazhduar studimet në Fakultetin e Mësuesisë në Prishtinë,deri në vitin 2015, ku edhe diplomoi me sukses. Meqë kishte një shkëputje fizike 10 vjeçare nga studimi, por asnjëherë shpirtërore, ajo vazhdon të avancohet në sferën e arsimit.. Dëshira për të vazhduar tutje ishte e ndezur brenda meje, dhe e besoja thellë në vete se kjo dëshirë do jetësohet.

Ngritja arsimore

“Më 14 tetor 2015, u bëra pjesë e studimeve Master. Ishte një rrugëtim i vështirë tre vjeçar ku përveç studimeve punoja dhe paralelisht mundohesha të jem e përkryer në rolin e nënës, mësueses, shtëpiakes, koleges e bijës. Po ashtu, një studente e zellshme, e rregullt në ligjërata e punë. Momenti i mbrojtjes me sukses të temës së masterit vështirë të përshkruhet me fjalë. Në këtë studim 3 vjeçar kam përfituar mjaft në aspektin shkencor dhe profesional. Është mbyllje e një kapitulli të rëndësishëm të jetës, por jo ndoshta e ngritjes akademike. Uroj të krijohen mundësitë dhe rrethanat për arritje tjera”, thotë më modesti zonja Belgizare, ngase dëshira për ngritje arsimore buronte thellë nga shpirti i saj i ndezur nga brenda, e që po jetësohet me sukses.

Belgizare Hyseni- Kryeziu, krahas punës si mësimdhënëse, ajo nuk pushon së vepruari edhe si këngëtare, spikere dhe moderatore e mrekullueshme. Veprimtaria e saj jetësore në këto sfera të ndjeshme të shoqërisë sonë e bëjnë zonjën Belgizare, më të dashur, më të respektuar dhe më të sjellshme.

Këtë kulturë të lartë Belgizare Hyseni-Kryeziu e trashëgoi nga familja e saj në fshatin Breznicë, një vendbanim i brezit kufitar në mes Kosovës dhe Serbisë, të përmendur për bujari, fisnikëri dhe trimëri. Talentin për muzikë zonja Belgizare e mori në rininë e saj duke i kënduar trimëritë e Lam Breznicës, kreshnikut të Malësisë së Bujanocit dhe heroizmave të ushtarëve të lirisë së UÇPMB-së.

Pasioni për muzikë, art dhe shkencë

Zëri i saj muzikal jehonte bjeshkëve të Malësisë, jo vetëm në këngë e valle, por edhe në rolin e spikeres e moderatores, gjatë organizimit të manifestimeve kulturore.

Pasioni për muzikën, dëshira për arsim e kulturë dhe dashuria për Atdheu, janë prioritet e zonjës Belgizare, së cilës nuk i ndahen nga shpirti dhe zemra e saj plot entuziazëm, optimizëm dhe kreativitet.

Jo vetëm kaq. Belgizare Hyseni- Kryeziu, shquhet për prezantimin e punimit shkencor me titull “Ndërlidhja mes inteligjencave të shumëfishta, vetëvlerësimit dhe suksesit të nxënësve në shkollë”, pastaj edhe për një varg aktivitetesh të tjerash si në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare organizuar ne mënyrën më të mirë nga QHPSM, në Konferencën Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Të Drejtat dhe Edukimin e Fëmijëve. Kjo konferencë theu kornizat e një konference tipike vetëm me hulumtime, duke përfshirë fjalime kyçe nga profesionist te dalluar të shkencave sociale dhe mjekësore, kuize me fëmijë, diskutime e këngë kushtuar të drejtave të fëmijëve.

Redaksia e Portalit Jetapress, nga Bujanoci, pati kënaqësinë ta prezantoj veprimtarinë shumëdimensionale të veprimtares Belgizare Hyseni- Kryeziu, për publikun e Luginës së Preshevës, prej nga rrjedh origjina e saj, duke i dëshiruar suksese e mbarësi në të ardhmen./Jetapress/