Home Lajme Nga Vendi Një dekadë me takimet e vendlindjes në Priboc

Një dekadë me takimet e vendlindjes në Priboc

197
SHARE

Ditë e bukur me diell e 21 korrikut 2019. Edhe pse vapë mjaftë e madhe, në mëngjesin e kësaj dite vikendi, banorë të shumtë me prejardhje nga fshati Priboc, ia kishin mësyrë fshatit, për t’u takuar në vendin e lindjes së tyre, në vendin e të parëve të tyre, pranë shtëpive të rrënuara, pranë varreve të rrafshuara, por jo të harruara.

Rrugës gjarpërore e me pluhur, nga Muhoci nëpër Zarbicë për në Priboc, këtë mëngjes vere, uturinin traktorët, e automjetet tjera, të mbushur me pribocas, të cilët me këngë, me të qeshura e britma gazmore i shoqëronin këngët e zogjve të kësaj ane.

Deri sa Këshilli Organizues, rregullon zërimin dhe lëshon muzikën shqipe popullore folklorike, banorët qëndrojnë nën hije të pemëve, dhe duket sikur bisedat e tyre kurrë nuk do të mbarojnë. Thirrja e disa hershme e moderatorit, që të afrohen pak më shumë për të përcjell fjalimet dhe përshëndetjet e bashkëvendëseve të vet, nuk mund t’i shkëpuste nga rrëfimet, kujtimet e viteve të shkuara, kur kishin qenë së bashku në këtë fshat. U desh, përsëri, disa herë t’i ftojë moderatori për tu afruar e përcjell programin e përgatitur. 

Ismet Tafili pasi përshëndet të gjithë bashkëvendësit e familjet që janë duke jetuar në këtë fshat ia jep fjalën kryetarit të Këshillit të fshatit Sadri Sopi, i cili paraqiti shkurtimisht historikun e mbajtjes së Takimeve të Vendlindjes. 

Ashtu si gjithherë, në vendin e grumbullimit, pranë shtëpisë së Hafiz Musliut, bashkëvendësit përqafohen, shtrëngojnë duart dhe zgjasin bisedat me përmallim, ngase disa nuk ishin parë deri në 30 e 40 vjet. Kishin ardhur nga vendet e ndryshme ku ishin shpërngul para shumë dekadave: nga Kumanova, Prishtina, Bujanoci, Gjilani, Petriti, pastaj nga disapora: nga Amerika, Anglia, Zvicra etj. 

Takimin e Vendlindjes i përshëndetën me fjalë të zgjedhura e të përmallueshme: Sylejman Sadiku, i cili kishte ardhur nga Zvicra, Sahit Ismajli nga Anglia, Fadil Ismajli nga Amerika, Halit Miftari nga Kumanova, Xhavit Azemi nga Prishtina, Xhavit Selmani nga Bujanoci, Ramadan Ramadani nga Gjilani, Shaban Bajrami nga Muhoci, dhe Hamdi Krasniqi në emër të familjeve që janë duke jetuar në Priboc.

Dhe në fund Ismet Tafili theksoi se në fshatin tonë, në bazë të disa vlerave të trashëgimisë që janë evidentuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, si: Vendbanimi i Hershëm nga shek XI-IX, Themelet e Kishës së Fshatit, Gurët e Varrezave, Lisat e Varreve, Pllaka Identifikuese e fshatit etj., tregon se në fshatin Priboc ka pasur jetë që nga kohët e hershme, ka pasur civilizim etj. 

Pas përfundimit të programi të takimit, si asnjëherë më parë, pothuajse të gjithë banorët, shpërndahen, për t’i vizituar shtëpitë veta e të baballarëve të tyre, varret e të parëve, arat, livadhet e fushat. 

Edhe pse të gjitha të mbuluara me barë e gati të gjitha të rrënuara, tek ata ishte ngjallur ndjenja e dashuria e vendlindjes, ishin rikthyer kujtimet e jetës së dikurshme në këtë fshat, jeta e fëmijërisë së tyre, bashkëjetesa e përbashkët e familjeve, kujtimet e mira po edhe ndonjëherë jo të mira. Të gjitha këtu tani u dukeshin si në përralla, si ëndërr, si shumë të bukura e të papërsëritshme./Ismet Tafili/ Jetapress/