Home Aktuale Skender Jusufi – njeriu, i cili, për shumë vjet mbajti, bashkë tërnocasit...

Skender Jusufi – njeriu, i cili, për shumë vjet mbajti, bashkë tërnocasit në diasporë

630
SHARE

Portret mërgimtarësh të dalluar

Javën e parë të tetorit, të këtij vit, në Tërnoc, takojmë veprimtarin e palodhur të Lëvizjes së Mërgimtarëve të Tërnocit (LMT) nga Zvicra, Skënder Jusufin, ish kryetarin e kësaj shoqate, i cili për shumë vjet rresht, i mbajti të bashkuar tërnocasit në Zvicër.

Misioni i LMT-së, nuk ishte vetëm, thjesht, humanitar për ta ndihmuar vendlindjen dhe viset e tjera etnike, por kishte edhe karakter kulturor dhe informativ. Përmes kësaj shoqate ruheshin me kultivoheshin, ruheshin dhe afirmoheshin, vlerat e kulturës shqiptare në diasporë, me një fjalë, mbrohej identiteti i shqiptarit jashtë vendlindjes.

Organizimi i manifestimeve të ndryshme kulturore me karakter shoqëror e kombëtarë, pastaj manifestimet sportive e organizimi i ndihmave për Tërnocin dhe vendet e tjera shqipfolëse, ishin prioritetet e Lëvizjes së Mërgimtarëve të Tërnocit, në krye të të cilës ka qëndruar për disa mandate Skender Jusufi.

Duke shpalosur kujtimet, gjatë një takimi miqësor me të, jo vetëm për të kaluarën e LMT-së, por edhe për shumë veprimtari të tjera me interes shoqëror e kombëtar, na del përpara portreti i Skender Jusufit, një veprimtar i papërkulur dhe i devotshëm i çështjes sonë kombëtare.

“LMT-ja ka qenë një shtëpi e jona e përbashkët, e cila u ka bërë konak shumë veprimtarëve politikë e shoqërorë, ka ndërmarrë shuam iniciativa për ta ndihmuar vendlindjen dhe gjithë ata, që kishin nevojë për ndihmë, ka bashkëpunuar me shoqata simotra, subjekte politike dhe institucionale, për t’i ecur përpara proceset demokratike, ka zhvilluar, kultivuar dhe promovuar vlerat kulturore e sportive, në diasporë, duke mbrojtur, kështu, identitetin kombëtar”, i pat thënë dikur gazetës “Bota sot” dhe revistës “Jehona”, tani dhe Portalit “Jetapress”, bashkëbiseduesi ynë Skënder Jusufi.

Në vazhdim, të bisedës, shkëputen kujtime të dashura dhe krenare, për aktivitetin e bashkëbiseduesit tanë, portreti i të cilët, është i njohur për shumëkënd, që e njohën dhe e patën rastin të veprojnë me të.

“Jetapress”, mëson se Skender Jusufi, ka lindur, më 10 qershor 1955, në Tërnoc të Bujanocit, Lugina e Preshevës. Shkollën fillore e ka kryer në vitin 1970 në vendlindje, kurse Gjimnazin, drejtimi Gjuhësor në Bujanoc, në vitin 1974. Në periudhën 1974-1979 ka studiuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Prej shtatorit të vitit 1981, kalon me punë në Zvicër.

Në periudhën 1981-1988, ka punuar si tekink dhe dirigjues i vinçit për firmat: “R.Stauffer AG” në Dietikon, “Leuthard AG” në Mereschwand. Në periudhën 1989-1990, ka vijuar shkollimin njëvjeçar për përvetësim të mëtejshëm të gjuhës gjermane, kurse në periudhën 1990-1992 ka kryer shkollimin dyvjeçar në Qendrën Kantonale për Arsimim Profesional në Aarau dhe ka fituar titullin Teknik i lartë dhe Vizatues i ndërtimeve të  larta.

Në vitin 1993 ka kryer shkollimin njëvjeçar për Informatikë në Qendrën Shkollore për Arsimim Profesional (CISAP) në Bernë dhe ka marrë titullin PC-Specialist, kurse në vitin 1984, në periudhën prej katër muajve, ka kryer shkollimin për Këshilltar në lëmin e shitjes në “SMI” në Aarau. Prej vitit 1994 ka themeluar firmën e vetë “Ing. Büro Jusufi” në Oftringen ku ushtron veprimtari të pavarur në lëmin e planifikimit dhe renovimit të objekteve të ndërtimeve të larta, dhe aktualisht po ashtu punon edhe për firmën “SCA Packaging” në Oftringen.

Gjithashtu, “Jetapress”, mëson se Skender Jusufi, ka përvojë të mirë në lëmin e ndërtimeve të larta në Zvicër. Është autor dhe realizues i mbi dhjeta projekteve/objekteve në këtë lëmi. Është njëri prej themeluesve të shoqatës Lidhja e Mërgimtarëve të Tërnocit (LMT) në Zvicër dhe  veprimtar i dalluar. Aktualisht është kryetar i LMT-së. Po ashtu ka shpërblyer si këshilltar juridik dhe përkthyes për bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Në periudhën 2001-2003 është zgjedhur këshilltarë i BISHZ-së. Aktualisht është këshilltar i Shoqatës, udhëheqës i seksionit për çështje juridike, dhe kryetar i Komisionit statutar të Shoqatës.

Interesi i tij aktual është në zhvillimin e projekteve të vogla dhe të mesme në lëmin e objekteve të ndërtimeve të larta, dhënien e këshillave profesionale për shitje dhe blerje në këtë lëmi, këshilla juridike dhe përkthime.

Ndonëse ka dalë në pension, Skender Jusufi, nuk ndalet së vepruari në të mirë të tërnocasve dhe të tjerëve, pa dallime vendi e krahine, është komunikativ dhe shumë miqësor, një shembull i mirë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, gjithmonë i gatshëm për aksione me interes shoqëror dhe kombëtar. “Jetapress”, mëson se Skender Jusufi, është duke bërë një autobiografi për jetën e tij të mbushur me shumë veprimtari njerëzore, njofton Jetapress.