Home Aktuale Qëndron shteti pas disa „zhdukjeve“ e torturave në Turqi?

Qëndron shteti pas disa „zhdukjeve“ e torturave në Turqi?

3
SHARE

Vazhdimisht në Turqi zhduken njerëz të opozitës. Ata që janë liruar flasin për marrje në pyetje nën tortura. Të afërmit e të rrëmbyerve dyshojnë, se pas kësaj qendron shteti. Një reportazh i Deutsche Welles.

Sümeyye Yilmaz ka kaluar muaj të tërë me frikë të vazhdueshme dhe në kërkim të ndonjë shenje jete nga bashkëshorti i saj, Mustafa. Pas tetë muajsh zhdukjeje pa lënë gjurmë, papritur ai është rishfaqur. Si i burgosur në rajonin e policisë në Ankara. Kur Yilmaz e lejuan të vizitoj të shoqin, ajo u shokua: „Burri im është dobësuar shumë. Të paktën 20 kg ka humbur. Fytyra e tij ishte e zbehtë dhe duart i kishte akull të ftohta. Dyshoj, se atë nuk e ushqejnë si duhet dhe për kohë të gjatë është mbajtur në një vend të errët pa dritë natyrore.”

Zhdukja e Mustafa Yilmaz

Ankara, 19 shkurt 2019. Si çdo mëngjes edhe kësaj here Mustafa Yilmaz përshëndetet me të shoqen Sümeyye. Por që nga ajo ditë fizioterapisti zhduket pa asnjë gjurmë.

Bashkëshortja e kujton atë ditë: „Ai mori rrugën përgjatë trotuarit në drejtim të stacionit. Por përpara se të mbërrinte aty e sulmuan dy burra. Ata i hodhën një thes në kokë. Unë dyshoj, se më pas ata e kanë tërhequr dhe e kanë hipur në një makinë të zezë transporti që priste në qoshe të rrugës dhe janë larguar.”

Një kamera vrojtimi e një dyqani që ndodhet aty pranë e ka filmuar rrëmbimin e tij. Kjo ishte e vetmja pikë referimi për Sümeyye Yilmaz për rrëmbimin e të shoqit. Për muaj me radhë ajo ka kërkuar informacion në polici dhe tek autoritetet e tjera. Pak muaj para se të ndodhte kjo, Mustafa Yilmaz kishte qenë shkurt në arrest hetimor i dyshuar se i përket lëvizjes Gülen. Por pas rrëmbimit sivjet Sümeyye Yilmaz nuk i japin asnjë përgjigje ndaj letrave pafund që ajo u ka dërguar autoriteteve.

Më në fund në parlament në Ankara ajo gjen mbështetje nga deputeti i opozitës Ömer Gergerlioglu. Investimet e tij rezultojnë, se rrëmbimi i burrit të Yilmaz’ nuk është një rast i veçuar. Herë pas here atë e njoftojnë për njerëz të rëmbyer – të paktën 28 raste njeh ai deri tani.

Pa përgjigje

Kjo temë është politikisht delikate në Turqi. Thuhet se viktimat janë të dyshuar si përkrahës të lëvizjes fetare Gülen. Kjo lëvizje ngarkohet si përgjegjëse për puçin e dështuar para tre vjetësh. DW i konfrontoi autoritetet turke me akuzat. Por kërkesa e dërguar Ministrisë së Brendshme turke përmes ambasadës në Berlin mbeti pa përgjigje.

As organizatave ndërkombëtatre të të drejtave të njeriut nuk u jepet përgjigje nga Ankaraja për çështjen e rrëmbimeve. Ato vetëm mund të hamendësojnë, se përse qeveria turke përdor të tilla mjete të paskrupullta: Emma Sinclair-Webb nga Human Rights Watch thotë se: „Nuk është e thjeshtë të gjesh një shpjegim për veprime të tilla. Vetëm nëse kjo do të thotë që ata që janë përgjegjës duan t’i ngjallin frikën pjesës tjetër të popullsisë ose duke u bërë presion përmes rrëmbimeve ndoshta duan t’i detyrojnë ata të pranojnë vepra, që nuk i kanë kryer.”

Kur viktimat rrëfejnë

Meqënëse të afërmit e viktimave si edhe Sümeyye Yilmaz kërkojnë pa u lodhur shpjegim, disa prej ish-të rrëmbyerve për herë të parë kanë marrë guximin të flasin për atë që kanë përjetuar. Në një letër drejtuar deputetit Gergerlioglu një viktimë përshkruan, se si e çojnë në një qendër të fshehtë të marrjes në pyetje me gjasë që përdoret nga shërbimi sekret turk MIT, ku atë e kanë torturuar: „Nëse nuk pranon, ata më thonin do të të torutrojmë. Do të vdesësh kur të të varrosim. Ne do ta konsiderojmë këtë si vdekje të natyrshme.” Ata pak dëshmitarë që ekzistojnë thonë të njëjtën gjë: Ata janë rrëmbyer me një makinë të zezë transporti. Me sy të mbyllura i kanë çuar në një godinë me shumë qeli, ku ndodhen edhe të tjerë. Atje pastaj i torturojnë vazhdimisht derisa t‘u nxjerrin emra.”

Sümeye Yilmaz është e sigurt, se edhe burri i saj është torturuar në një vend të fshehtë. Atë papritur e akuzojnë për anëtarësi në një shoqatë të armatosur, atij nuk i lejohet të ketë avokatin e zgjedhur prej tij. Gjatë përpjekjeve të saj atë e shoqërojnë prindërit. Policia e ka këshilluar të mos flasë, për të mos e përkeqësuar edhe më shumë situatën e bashkëshortit të saj. Por ajo nuk do të heshtë. Sümeyye Yilmaz: „Nga gjendja e tij vizike dhe psiqike e kuptova, që ai ka kaluar një kohë të vështirë. Unë dyshoj, që gjatë marrjes në pyetje ai e ka ngarkuar vet veten me faj. Me këtë atij i është dhënë kohë ta marrë veten prej torturave dhe e më pas e kanë çuar në rajonin e policisë.”

Bashkëshorti i Sümeyye Yilmaz është rishfaqur sërish. Por shqetësimi për fatin e tij ende vazhdon. Por gruaja e tij nuk do ta ndërpresë luftën  e nisur: „Ata që janë përgjegjës shpejt ose vonë do të japin llogari. Për këtë ne nuk duhet t‘i ndalim kërkimet tona. Muajt e fundit shpesh kam dashur të heq dorë, nuk kisha më fuqi. Por sërish  i kam mbledhur forcat, sepse nuk dua që të tjerë të përjetojnë këtë që po kaloj unë.” Ajo nuk do të gjejë qetësi derisa burri i saj të kthehet në shtëpi – këtë e ka detyrim ndaj vajzës së saj./DW/