Home Aktuale Pse Evropa, nuk na do kështu siç jemi ?!

Pse Evropa, nuk na do kështu siç jemi ?!

70
SHARE

Nga Nexhmedin Saqipi

Na është ngulitur në kokë, prej vitesh, një paragjykimi, jo edhe aq i padrejtë, ndaj Evropës, e cila nuk po reflekton për së mbari, për t’na pranuar në gjirin e saj, por përkundrazi vë kushte për regres në integrimet evropiane.

Në këtë drejtim, madje nuk jemi liruar nga zhargoni ynë kundërshtues, fyes dhe nënçmues ndaj Evropës, duke e quajtur atë: “Evropa lavire”, “Evropa plakë”, “Evropa e zezë” e kështu me radhë.

Po të ndalemi pak e t’i analizojmë rrethanat tona sot, jo vetëm si shqiptarë, por edhe si ballkanas, pa përjashtuar fqinjët shekullorë: serbët, maqedonët, malazezët etj. na del se në familjen e madhe të quajtur “Evropë”, nuk do të pranohemi, kështu siç jemi, me problem të pakorrigjuara kufijsh, me dukuritë ekstreme të kontrabandës me drogë, armë e qenie njerëzore, pastaj me korrupsionin, krimin e organizuar politik dhe ekonomik, nepotizmin, bajraktarizmin e mentalitete të tjera të mbrapshta ballkanike.

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i ka mbetur hatri pse Evropa, nuk e dha dritën jeshile, që ta gëzojnë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo e dyta, në shenjë pakënaqësi, ka shpallur edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, në kuptim të një zhgënjimi për proceset e ngadalësuara të integrimeve evropiane.

Mashtrimet

Liderë politikë e institucionalë, analistë e publicistë nga më të ndryshmit, një veprim të tillë të Evropës e quajnë mashtrim të radhës, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj ballkanasve të tjerë. Nuk thuhet kot se “sulmi është mbrojtja më e mirë”, por duhet të jemi të kujdesshëm në kritikat tonë, që ato të jenë të shëndosha, parimore dhe pragmatike.

Nuk mund ta akuzosh Evropën, pse ajo nuk të do çfarë je, me problem të mëdha e të pazgjidhura në fushën e politikës, ekonomisë, shëndetësisë, drejtësisë  etj, për mungesën e dialogut, tolerancës, mirëqenies sociale e probleme të tjera të grumbulluara prej vitesh.

Nuk është e drejtë që liderët e shteteve ballkanike, mossukseset e  dështimet në qeverisje të vendit, t’ia bartin  tjetërkujt, ata duhet të tregohen më fleksibilë, më tolerant, ta kapin demokracin në dorë  dhe të marshojnë drejt integrimeve,  e jo  të kërkojnë nga  BE , ndihmë ,  ndërsa  vetë të zhytur në urrejtje, nepotizëm , korrupsion dhe përçarje mes veti, të kthen prapa në një të kaluar ku sundonte diktatura.

Mentalitetet

Kot është të kërkosh ndihmë, kur vet  nuk je i interesuar të  shërohesh nga sindromi i urrejtjes, përçarjes, hakmarrjes dhe me këto mentalitete kërkon të futesh në familjen evropiane, e cila kështu siç jemi me problem nuk na do, por përkundrazi na bllokon dhe për të marrë mësim defektet, që nuk na lënë të ecim përpara.

Kompromiset nuk bëhen me dhunë, me kërcënime, me ndërskamca, me kushte,  me lojëra “ngre e mos këput” dhe “kush kujt do t’ai hedh”!.

Prandaj, Bashkimi Evropian, po e sheh se sa jemi të sinqertë në rrugën e proceseve evropiane, sa tregojmë gatishmëri në zbatimin e në proceseve demokratike dhe duke i pasur këto parasysh, ata nuk e kanë të vështirë të krijojnë përshtypjen se ne në ketë drejtim jemi falco, ngase na mungon besimi, vullneti, toleranca e mirëkuptimi  për të ecur vertikalisht në këtë rrugë të gjatë të proceseve integruese evropiane.

Sa  e sa herë  diplomatë, ambasadorë  evropianë dhe misionarë nga SHBA-të, na kanë tërhequr vërejtjen, që mos të vonohemi në luftën kundër korrupsionin, nepotizmit, keqpërdorimit të institucioneve, ngulfatjen e drejtësisë, burokracisë dhe shantazheve, e ne si për inat sikur i kemi ushqyer këto dukuri, që sot e nesër do t’ua shohim sherrin.

Shërimi

Aq, më keq, në këto rrethana siç janë, liderët tanë ballkanikë, sillen se janë zotëri të paqes e stabilitetit dhe se çdo gjë është në duart e tyre, e jo SHBA-të e Evropa, të cilat na nxorën nga një luftë, që i patëm humbur shpresat se do të dalim të gjallë.

Për një kohë jo të gjatë i harrojmë ato konflikte, masakra, dhunime, dëbime nga vendi  etj. e sillemi sikur nuk kemi nevojë  për ndihmën e miqve tanë shpëtimtarë për këshilla e sugjerimi, a në anën tjerë ua duam fondet e pranimin në integrime evropianë.  Kjo i bie sikur i sëmuri, i cili ka nevojë për ndihmën e mjekut dhe nuk i bindet këshillave të tij mjekësore. E ne duhet të pranojmë se kush është i sëmurë ne apo Evropa, kush ka nevojë për ndihmë ne apo evropianët?!

Përgjigja do të jetë më një fjalë: “Të punojmë edhe ne sikur të jemi Evropë, ngase ajo si individë po na pranon në sofrën e saj të madhe, ndërsa si shtete e krahina, jo sepse ka diçka që ne duhet ta ndryshojmë nga mentaliteti deri te pushteti”, apo jo?!