Home Opinione Shteti shqiptar dhe kriza e shkaktuar nga tërmetet

Shteti shqiptar dhe kriza e shkaktuar nga tërmetet

19
SHARE

Nga Fadil Sahiti

Nuk bëj pjesë në grupin e njerëzve që shquhen me ndonjë ndjenjë të ethshme nacionaliste. Nacionalizmin, si kategori politike, nuk e shoh si mjet që mund sjell progresin e një komuniteti, apo të një kombi. Jam përkrahës i një nacionalizmi racional, që zhvillimin e vet e bazon në vetëdijen se vetëm puna dhe sakrifica dërgon në përparim. Besoj që si teori dhe doktrinë, nacionalizmi racional është shumë më i avancuar. Sido që të jetë, me apo pa nacionalizëm të ethshëm, ajo që i duhet një bashkësie të njerëzve është shteti. Shteti është instrument, është mjet që është krijuar ndoshta jo për shkak të jopërsosmërisë së njeriut, ashtu siç thoshte Platoni, por për shkak të fuqisë që ai e prodhon.

Duke parë reagimin e shtetit shqiptar gjatë kësaj krize të shkaktuar nga nëna natyrë, m’u kujtua koncepti i filozofit të madh gjerman, G. W. F. Hegel (1770-1831) mbi shtetin kombëtar apo atë nacional. Hegeli njihet si filozof që e madhëronte shtetin. Për të shteti ishte “ideja hyjnore e sjellë në tokë”. Si i tillë, individi është asgjë në krahasim me shtetin që është gjithçka. Kjo sepse individi i detyrohet shtetit për ekzistencën e tij fizike dhe shpirtërore. Njerëzit duhet ta adhurojnë shtetin, sepse është shfaqja e hyjnores në tokë.

Sipas Hegelit, vetëm racat njerëzore sipërore e kanë aftësinë të krijojnë shtet. Këtu para se gjithash ka aluduar në racën të cilës i ka takuar vet. Qëllimi më i lartë i një kombi duhet të jetë krijimi i një shteti të fuqishëm. E vetmja arsye pse duhet një shtet i fuqishëm është sepse ai shërben si instrument i vetë-ruajtjes, i mbijetesës së një kombi. Më tutje Hegeli deklaronte se kombet që nuk kanë arritur të krijojnë një shtet të fortë, nuk e kanë arritur as shkallën e vet të zhvillimit si organizëm. Nuk kanë asnjë peshë në historinë e njerëzimit. Janë thjeshtë bashkësi tribale.

Ndonëse personalisht nuk pajtohem krejtësisht me këto pikëpamje të Hegelit mbi shtetin, ai thoshte madje se shteti nacional duhet të jetë i gjithëfuqishëm. Si i tillë duhet të përshkojë dhe kontrollojë tërë jetët e njerëzve, të gjitha aspektet e jetës së tyre: artin, shkencën, moralin, ligjin, fenë etj. Kjo sepse shteti kompozon shpirtin e një kombi; ai është fryma e tij, është elementi thelbësor i vetë njerëzve. Është shteti ai që animon kombin. Këtë e bën përmes institucioneve të saj. Shteti duhet ta dëshmojë veten në të gjitha situatat dhe fazat e zhvillimit historik të një kombi.

Tërë ky madhërim për shtetin e ka një arsye. Kush më tepër se njerëzit që janë ballafaquar me efektet e tërmetit e kanë ndjerë nevojën e shtetit. Por, më bëjnë shumë përshtypje reagimet dhe frustrimet e njerëzve rreth paaftësisë së shtetit shqiptar. Nuk e di përse çuditen për mungesën e kapacitetit të shtetit për të menaxhuar një situatë relativisht vështirë të menaxhueshme. S’kanë përse çuditen, sepse ky shtet është prodhim i vet qytetarëve shqiptarë. Shtetin nuk e kanë sjell as grekët e as serbët që konsiderohen si popuj jo shumë miqësor karshi neve.

Se çfarë shteti është shteti shqiptar na kanë bërë të njohur shumë shtete mike, në mënyrë implicite e shpesh edhe eksplicite dhe atë me mijëra herë. Ndonëse dikujt mund t’i duket paradoksale, por një zë i fuqishëm miqësor shqiptarëve u erdhi tash së fundmi nga Franca, Danimarka, Holanda etj. Se çfarë shteti kanë shqiptarët na u rikonfirmua edhe para dy ditëve nga Raporti evropian për tregun e drogës. Në mënyrë eksplicite raporti thotë se Shqipëria është prodhuese kryesore e kanabisit në Evropë. Më qartë dhe më drejt s’ka si thuhet.

E, ky shtet nuk është krijuar dje. Është dashur kohë të ndërtohet. Fajtorë nuk është vetëm ky i gjati që për nga keqqeverisja ia kalon të gjithë paraardhësve të tij. Strukturat e krimit janë po ato të para dhjetë, njëzet apo më shumë viteve. Kjo duhet thënë troç, sepse ndryshe ky shtet nuk do bëhet kurrë.

Fajin për këtë kuazi-shtet e kanë edhe ata që nuk kanë qeverisur direkt – intelektualët, si dhe komuniteti i gazetarëve që është bërë argat i pushtetit. Këta të fundit, pa mëdyshje janë aksionarë të krimit. Sidomos gazetarët me “çorape lara-lara” dhe me flokë të ngjyrosura. Janë bërë magnatë duke u bërë servisin politikanëve mafiozë. I kanë promovuar në mënyrë të paskrupulltë sa herë që kanë mundur. Një kulturë të ngjashme gazetarie ka pasur dhe ka tendencë të etablohet edhe në Kosovë, por fatmirësisht nuk e kanë fuqinë shurdhuese si në Shqipëri.