Ballina Aktuale Vërej që në Kosovë, jo që ka stagnuar jeta, por është kthyer...

Vërej që në Kosovë, jo që ka stagnuar jeta, por është kthyer prapa, prandaj e kemi këtë gjendje edhe në politikë.

SHPËRNDAJE

Nga Shemsije Elshani

Normal, zhvillimi drejt lirisë merr haraqin e vet. Ky haraq është konfrontimi edhe me njerëzit e tu të afërm. Ata që nuk janë konfrontuar deri më tani, nuk janë çliruar ende. Ka përjashtime, u mor vesh, nëse bashkë me ty janë zhvilluar njëkohësisht të gjithë bacat e dadat, agat e babat, haxhibabat e dajat, tezet, inxhet e dajve etj. Atëhere po, nuk ke nevojë të konfrontohesh me askënd. Një gjë e tillë, në kushte tona është gati e pamundur, për arsye tashmë të njohura.

Kështu në pamundësi që të konfrontohesh me krejt rrethin, është më kollaj të luash rolin. Një rol për opinionin, përjashta këtij rrethi, dhe një rol tjetër brenda tij.

Për një njeri i cili e ka rrugën e gjatë jetësore, liria është proces, që zgjat gjatë tërë jetës. Kjo do të thotë, që gjatë tërë jetës duhet këputur pranga të reja, për të çarë rrethime të tjera.

Në këtë luftë të gjatë, armiku kryesor pa dyshim është injoranca.-Ka injorancë që ka kufi, por ka dhe injorancë që nuk ka kufi… më tha një ditë një mike.

-Ku është dallimi, e pyes,-Injoranca që ka kufi, nuk guxon me u shty me t’fortin, ndërsa ajo pa kufi shtyhet edhe me ma të fortin, m’u përgjigj ajo. – Qenkësha pa fat, i thash…

– kam patur gjithmonë punë me grupin e dytë, me injorancën pa kufi. Nuk kam zgjedhur vetë të merrem me këtë mentalitet kaq primitiv. Më ka zgjedhur ai mua. Më është imponuar. Si mund të mësoj njeriu histori, gjeografi, biologji, matematikë, fizikë e kimi, në një mentalitet që të rri si shpatë e mprehtë te fyti, gjithmonë i gatshëm të të ndal sa herë ti synon të hedhësh një hap përtej atij kufiri imagjinar të caktuar ku e di sa kohë më parë, nga njerëz që nuk kishin hiç lidhje me ty, madje që nuk kanë jetuar në të njejtën kohë me ty.

Isha mjaft inteligjente, sa të mos e shihja këtë realitet, bardh e zi, si dhe tepër rebele për të mos iu kundërvënë. Apo, ku e di (?!),mundet që e tërë kjo ka të bëjë me përceptimin tim. Nuk e di ç’rrethana familjare a shoqërore mund të kenë ndikuar që unë, ta përceptoj realitetin vetë, ashtu siç është, siç unë e ndjej, pa zbukurime. Ndonjëherë këtë fakt e marr si përparësi. Fundja kjo që jam, jam fal këtij perceptimi. Ndonjëherë lodhem, sa pyes veten, pse nuk më mjaftoi edhe mua liria si shumë të tjerëve?! Do të isha rehat me të gjithë. Fatmirësisht, nuk më zgjasin këto mendime shumë!

(Ç’është e vërteta koha ecë dhe me të edhe sjelljet ndryshojnë ngadalë.)

Këtu, shoh të reja të shkojnë mbrëmjeve diskotekave pa ndjenjën që po bëjnë ndonjë vepër të ndaluar. I shoh aeroporteve duke pritur fluturimin e radhës duke udhëtuar të vetme nëpër botë pa frikën që janë vajza, apo që janë vetëm. Shoh edhe të rinj si e hedhin hapin edhe nëpër rrugë të pashkelura më parë, pa frikën se mund të dështojnë dhe të ngjiten majave pa frikën se do të bien.

Kur i mendoj këto, them që ia ka vlejtur gjithë ky konfrontim, që na ka ra dhe po na bie si brez, edhe me rrethin e afërt, në luftë drejt emancipimit. Janë plot të rinj të sotëm që e dëshmojnë këtë më së miri, me kohën e tyre që iu bie tamam.

Ndaj me të drejtë konstatoj që konfrontimet nuk janë dhunë, përkundrazi, janë mjete për të kapërcyer statusquon.

Aty ku nuk ka përplasje, nuk ka ndryshuar gjë. Ka ecur veç koha, ndërsa jeta ka ngelur në vend.

Të konfrontohesh me realitetin frenues për hir të zhvillimit, dhe pikë!

Nëse ky është haraqi që duhet paguar, ia vlen!