Ballina Aktuale Aleanca e trishtimit njerëzor

Aleanca e trishtimit njerëzor

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Në viset e rajonit Ballkanik, në të cilin përveç prapambetjes ekonomike dhe mentaliteteve zakonore, dominojnë edhe dukuri të shumta negative të karakterit kufitar dhe ato të fundit rreth përhapjes së virusit Covid 19.

Shtetet ballkanike të ballafaquara me këtë pandemi botërore, kanë filluar ta humbin betejën para se me e fituar luftën kundër saj. Përzierja e kompetencave institucionale shtetërore me ato shëndetësore, ka bërë që fushata sensibilizuese e kësaj lufte, të sjell më shumë defetizëm se sa reflektim pozitiv.

Qytetarët e këtyre vendeve ballkanike, të cilët jetojnë larg standardeve jetësore evropiane, për shkak varfërisë ekonomike, papunësisë dhe nivelit të ulët të jetesës, janë kthyer në robotë pa ndjenja dhe pa reflekse.

Frika nga ndonjë stuhi e ardhshme pandemie, lëvizja e qarkullimit në punët e përditshme, bllokimi i fondeve lokale dhe republikane, presionet  e përditshme se do të bëhet më keq, nëse nuk mbajmë kujdes etj. qytetarin e këtij rajoni e kanë pasivizuar, duke  e kthyer në një lypsar rutinor.

Askush nuk dyshon në rrezikun që bart me vete virusi Covid 19, ama edhe nuk duhet me e tepruar me presione të ndryshme dhe me prognoza nga të cilat njerëzit e humbin vullnetin për jetë. Në se për çdo ditë zgjohemi me lajme të ndryshme të cilat propagandojnë vdekjen, bllokadat, pasivizimet, atëherë vështirë se mundet të gjendet ndonjë mendje e shëndosh për t’i përballuar ato.

Po e hape televizionin, portalet informative, rrjetet sociale të facebookut etj, nuk gjen tjerë vetëm lajme të këqija që lidhen me vdekjet nga Covidi 19, bllokadat ekonomike, papunësi etj. Askush nuk kujtohet të reflektoj për të mirë, duke propaganduar optimizëm se vendi së shpejti do të lulëzoj në fushën ekonomike, se pritet të hapen vende të reja pune, se do të hapen kufijtë për integrime etj, por dëgjon dështime, vdekje dhe paralajmërime se në nëntor virusi ka me qenë shumë më i vështirë dhe ka për të mbjell shumë vdekje.

Kur njeriu ndalet e mendon se si funksionon shteti rreth menaxhimit të virusit Covid 19 me institucionet e tjera shëndetësore, të lë përshtypjen se ka një koalicion ne mes këtyre fenomeneve, nga të cilat qytetarët pak ushqehen me shpresa se së shpejti mund të dalin nga ky qorrsokak.

Kjo aleancë e trishtimit njerëzor duhet ta ndërroj fjalorin e zhargonit epidemiologjik, për të krijuar një klimë mirëbesimi, vullneti, mirësie e optimizmi të punë e jetë me dinjitet, e jo të mbërthyer nga frika, pasiguria e vdekja tinzare nga virusi botëror.

Me një fushatë sensibilizuese të bashkëpunimit institucion – qytetarë, besojmë se ky defetizëm do të largohet për mos e futur popullin në panik, nga i cili pastaj zor se do të shërohet pa pasoja.

Më mirë vonë se kurrë!