Ballina Aktuale “SHBA-ja dhe BE-ja duan ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën, por s’po...

“SHBA-ja dhe BE-ja duan ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën, por s’po dinë si”

SHPËRNDAJE

Gazetari Aleks Eror, i lindur në Beograd, shkrimet e të cilit janë botuar nga “Guardian”, “The New Republic”, “Vice”, “Slate”, “The Telegraph” e të tjera, kësaj radhe shkruan për “Foreign Policy” se qëllimi kryesor gjeostrategjik në Ballkan, si për SHBA-në, ashtu edhe për BE-në, është bindja e Serbisë që ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës.

“Bindja e Serbisë që ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës është top-qëllimi gjeostrategjik në Ballkan si për qeverinë amerikane, ashtu edhe për BE-në, por këto forca Perëndimore janë të ndara ashpër rreth asaj se si të arrihet kjo. Qëndrimi kryesor në Bruksel është se kjo duhet arritur duke e nxitur Serbinë për të pranuar status quonë dhe me dashje të heqë dorë nga pretendimi për provincën e saj në ndarje – një qasje që qeveria në Beograd vazhdimisht e ka refuzuar”, thotë Erori në shkrimin e tij të botuar në “Foreign Policy”.

Koha e publikimit të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi, sipas Erorit, nxiti një valë spekulimesh se Bashkimi Evropian po punonte aktivisht për të prishur bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

“Normalisht, akuza të kësaj natyre shkojnë rrezikshëm afër konspiracionit, por në këtë rast të veçantë janë krejtësisht të besueshme: që kur është njoftuar për takimin në mes të qershorit ka pasur frikë nga kryeqytetet evropiane se Grenelli, i cili nuk është se ka qenë shumë i dashur për liderët e BE-së gjatë qëndrimit të tij si ambasador amerikan në Gjermani, po planifikonte të shtynte përpara një propozim kontrovers për shkëmbim territoresh që do të zgjidhte pengesën Serbi-Kosovë duke i rishkruar kufijtë e dy vendeve përgjatë vijave etnike. Si Vuçiqi, ashtu edhe Thaçi, mbështesin një zgjidhje të tillë, por BE-ja frikësohet se kjo do të çonte në dhunë dhe gjakderdhje në Ballkan, duke ndezur edhe mosmarrëveshje tjera kufitare përgjatë rajonit”, shkruan ai, transmeton “Zeri.info”.

Megjithatë, Erori thotë se administrata e presidentit amerikan Donald Trump është shumë më fleksibile dhe në të kaluarën ka thënë se do të pranojë çdo “zgjidhje që kënaq dy palët” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfshinte edhe lëvizjet kufitare.

“Një marrëveshje e tillë do të shkonte krejtësisht kundër interesave të Brukselit, për çka disa besojnë se koha e publikimit të akuzave kundër Thaçit [nga Prokuroria në Hagë]nuk ka qenë krejtësisht e rastësishme”, thotë Erori.

BE-ja, thotë Erori, vazhdimisht ka refuzuar të pranojë një zgjidhje të tillë [të shkëmbimit të territoreve] dhe i dërguar special i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak, ritheksoi kundërshtinë e Brukselit për një plan të tillë në maj, duke i thënë “Austrian Press Agency”-s se shkëmbimi i territoreve “nuk është në agjendë dhe nuk do të duhej të ishte në agjendë” dhe se “na duhet një marrëveshje që e qetëson situatën… kjo do të ishte krejtësisht e kundërta”.

Nga ana tjetër, thotë Erori, administrata “Trump” duket e gatshme të pranojë çdo zgjidhje që do të konsiderohej fitore e politikës së jashtme për presidentin para zgjedhjeve të nëntorit.

Ai thotë se takimi i Grenellit me Thaçin e Vuçiqin mund të jetë anuluar tani, por “fakti se ai ishte caktuar një herë për t’u mbajtur duhet të shërbejë si thirrje për t’u zgjuar për Brukselin”.

Gazetari Aleks Eror thotë se gjatë dekadës së fundit BE-ja nuk ka pasur shumë kapacitete për t’u angazhuar në Ballkan. Kjo, sipas tij, ka bërë që ndikimi i Evropës në rajon të bjerë, ndikim që vazhdimisht po plotësohet nga Kina, Rusia, Turqia dhe shtetet e Gjirit Persik.

“Nëse BE-ja dëshiron të shmangë anashkalimin në oborrin e saj të pasmë, duhet të ndërmarrë një qasje më muskulore në Ballkan, duke i mposhtur rivalët dhe duke i detyruar liderët rajonalë – në veçanti Vuçiqin, që të punojnë në pajtim me qëllimet e tyre”, thekson Erori.

Ai thotë se Vuçiqi është i vetëdijshëm se s’mund ta rikthejë Kosovën, por nëse ia del të marrë një copë të saj dhe ta ribashkojë atë me pjesën tjetër të popullatës serbe në Serbi, “ai do të ishte në gjendje ta shiste marrëveshjen si avancim në vend të kapitullimit”.

Erori thotë se Vuçiqi, edhe pse e paraqet veten si proevropian, nuk beson në vlerat evropiane.

“Sikurse ish-lideri jugosllav Marshal Tito, edhe Vuçiqi i sheh përfitimet nga qëndrimi ‘as andej, as këndej’. Duke qëndruar mes Lindjes dhe Perëndimit, ai është në gjendje të frikësojë BE-në se Kina po shikon mundësinë e zgjerimit në sferën e saj të ndikimit dhe t’i shfrytëzojë lidhjet e tij me Pekinin si levë kundër Evropës për përfitim ekonomik për Serbinë, një rezultat ky që ndihmon në kompensimin e disavantazheve të mbetjes jashtë bllokut”, thekson Erori.

Brukseli gjithmonë e ka parë Vuçiqin si njeri me të cilin mund të kryejnë punë, por, siç thotë Erori, po bëhet vazhdimisht e më e dukshme se presidenti serb aktivisht po i saboton qëllimet e BE-së në Ballkan.

“Strategjia e tanishme e zbutjes është e dukshme se ka dështuar dhe nëse Evropa vërtet dëshiron të mbetet në Kosovë duhet të ndalojë së spërkaturi Vuçiqin me mbështetje ekonomike dhe politike, që e mbështesin qeverinë e tij, por t’i drejtojë ato drejt grupeve të shoqërisë civile”, ka theksuar gazetari Aleks Eror.