Ballina Aktuale ‘Në Uashington për ekonomi, marrëveshja gjithëpërfshirëse, përgjegjësi e Brukselit’

‘Në Uashington për ekonomi, marrëveshja gjithëpërfshirëse, përgjegjësi e Brukselit’

SHPËRNDAJE

Në dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian po synon që të kalohet nga çështjet më shumë teknike te pyetjet e mëdha politike, në mënyrë që gradualisht të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Institutit gjerman Aspen.

Sipas saj, Bashkimi Evropian dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak janë përgjegjës për lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të arrihet deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, dhe për këtë ajo thotë se mbështetje kanë dhënë edhe Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Po e filloj këtë intervistë me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Si e vlerësoni këtë proces dhe a mendoni se zhvillimet me pandeminë e COVID-19 do të ndikojnë në këtë proces?

Valeska Esch: Në rend të parë është e rëndësishme të dihet se përkundër përparimit të paktë dhe hezitimit nga ana e Bashkimit Evropian, megjithatë BE-ja në vazhdimësi e ka përsëritur perspektivën e anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit. Mendoj se kjo është reflektuar edhe në përgjigjen ndaj COVID-19 të Bashkimit Evropian. Në fillim kishte një përgjigje më të ngadaltë nga ana e BE-së sepse vendet po merreshin me pandeminë brenda territorit të tyre, por mendoj se BE-ja ka treguar në mënyrë të qartë se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur vendet e rajonit. Mendoj se pavarësisht disa vonesave, ky është një proces ende i gjallë, dhe po ec përpara. BE-ja vazhdon të jetë një partnere e rëndësishme ekonomike. Pra, mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ato veçse janë afër integrimit, në veçanti në aspektin ekonomik, pasi BE-ja mbetet partnerja më e rëndësishme investuese në rajon. Këto vende, duhet të fokusojnë energjitë në procesin e anëtarësimit dhe të vendosin në prioritet reformat e nevojshme që mundësojnë këtë anëtarësim. Këto përfshijnë demokracinë dhe qeverisjen, sundimin e ligjit, reformat ekonomike dhe luftimin e korrupsionit. Kur flasim për ndryshimet që ka sjell pandemia, ne e kemi parë në pranverë, që BE-ja do të përqendrojë shumë energji dhe kapital politik në ringjalljen e ekonomisë së bllokut. Pandemia ende nuk ka përfunduar, kështu që vendet anëtare ende po luftojnë me të, kemi rritje të numrit të të infektuarve në gjithë Evropën. Pra, natyrisht kjo mund zbehë vëmendjen politike nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, unë mendoj se BE-ja e ka në mendje Ballkanin Perëndimor gjatë adresimit të problemeve, përfshirë edhe rimëkëmbjen.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka të përfunduar procesin e liberalizimit e vizave. Edhe pse Komisioni Evropian ka thënë se kushtet janë plotësuar, megjithatë disa vende të BE-së nuk janë pajtuar për të liberalizuar vizat. Pse ky hezitim?

Valeska Esch: Mendoj se kjo është një pyetje për vendet përkatëse. Mendoj se në këtë moment nuk është e qartë kush e mbështet këtë proces dhe kush jo, sepse ende nuk ka pasur një votim në Këshill (Këshillin e BE-së). Gjermania ka hezituar për një kohë, por, me sa kam kuptuar ata kanë shkëmbyer një sërë shqetësimesh me Kosovën dhe shpresoj se edhe vendet tjera ta bëjnë të njëjtën, në mënyrë që Kosova përfundimisht të fitojë liberalizimin e vizave. Unë vërtet shpresoj që në vjeshtë, kur Komisioni Evropian të lëshojë raportin e ri të progresit, do të shohim edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Por, natyrisht nuk e di nëse kjo çështje do të përfshihet.

Pra ju prisni që deri në fund të vitit Kosova të fitojë liberalizimin e vizave?

Valeska Esch: Sinqerisht, shpresoj që kjo do të ndodhë.

Instituti Aspen gjithashtu merret me analiza të raporteve transatlantike. Në vitet e fundit këto raporte nuk kanë pasur nivelin më të mirë të mundshëm. Si ka ndikuar kjo te vendet e Ballkanit Perëndimor?

Valeska Esch: Mendoj se vetëm në disa çështje. Nëse shikoni në bashkëpunimin transatlantik, ekziston shumë frikë nëse është ende shumë funksional përfshirë në Ballkan, por supozoj se ajo që ju po aludoni në pyetjen tuaj ka të bëjë me një periudhë në të cilën bashkëpunimi transatlantik nuk ka qenë stabil kur bëhet fjalë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mendoj se në këtë çështje kemi ardhur te një situatë e re, pasi Shtetet e Bashkuara, në mënyrë të qartë e kanë mbështetur rolin udhëheqës të Bashkimit Evropian pas emërimit të të dërguarit të posaçëm evropian, Mirosllav Lajçak. Mendoj se është e qartë për të dyja anët e atlantikut se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku nëse dëshirojnë të kenë sukses. Por, ju keni të drejtë kur thoni se raportet transatlantike në periudhën e fundit kanë hasur në vështirësi më shumë sesa në të kaluarën.

A prisni që bashkëpunimi midis Uashingtoni dhe Brukselit të intensifikohet pasi deri më tash nuk kemi parë diçka të tillë, duke pasur parasysh se po zhvillohen dy procese të veçanta të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, njëri në Uashington dhe tjetri në Bruksel.

Valeska Esch: Mendoj se të dyja proceset nuk po zhvillohen në mënyrën siç unë besoj se është natyra e negociatave të tilla. Pra, është e vështirë të vlerësohet nga jashtë se sa ka bashkëpunim. Sa kam kuptuar unë, këto dy procese nuk supozohet të jenë konkurruese, por ta plotësojnë njëra tjetrën. Mendoj se Bashkimi Evropian dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak janë përgjegjës për lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të arrihet deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme. Nga ajo që kemi mësuar ditëve të fundit është se Shtetet e Bashkuara më shumë janë të përqendruara në marrëveshje ekonomike dhe në lëvizjen përpara të bashkëpunimit ekonomik. Pra, derisa këto dy procese të plotësojnë njëra-tjetrën nuk mendoj se janë të dëmshme. Ne kemi parë se gjithashtu administrata amerikane e mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kemi pasur vizitën e ushtruesit të detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, në Bruksel kohë më parë ku ai takoi të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak, pra mendoj se ekziston një mbështetje e fuqishme për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Tash, të shohim. Takimi mes palëve është paraparë në fillim të shtatorit në Uashington, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, po e përsëris, ky dialog është paraparë të fokusohet më shumë në çështje ekonomike.

Gjermania është vendi që më së shumti e ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve si pjesë e zgjidhjes së përhershme të konfliktit mes dy vendeve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë e kanë përmendur këtë ide si një zgjidhje afatgjate. Pse është kundërshtuar kjo ide kur udhëheqësit e të dyja vendeve kanë thënë se ajo sjellë paqen e përheshme?

Valeska Esch: Mendoj se arsyeja kryesore ka qenë se kjo do të nxiste konflikte të reja në rajon. Ka pasur shumë shqetësime për këtë ide në vendet fqinje të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ka pasur shqetësime edhe te vendet anëtare të BE-së se kjo mund të hapë çështje tjera. Mendoj se ky ka qenë shqetësimi kryesor. Një tjetër shqetësim ka qenë se kjo ide do të përkufizonte kufij në baza etnike, dhe mund ta bënte pakicën serbe në Kosovë, si pakicën me numrin më të vogël në vend. Mendoj se këto janë dy arsye shumë të rëndësishme. Një arsye tjetër është se qëllimi kryesor i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja gjithmonë ka qenë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, dhe në një pikë të caktuar ka ekzistuar përshtypje se përmes ndryshimit të kufijve mund të zgjidheshin më shpejt çështjet tjera. Nuk mund të flas në emër të qeverisë gjermane natyrisht, por këto kanë mundur të jenë arsyet për kundërshtimin e ndryshimit të kufijve në rajon.

Sipas jush, cila strategji duhet të përdoret për të zgjidhur përfundimisht çështjet midis Kosovës dhe Serbisë?

Valeska Esch: Mendoj se për këtë do të duhej të pyetej Mirosllav Lajçak dhe BE-ja, por nga zhvillimet që unë kam parë duket se BE-ja po përpiqet të adresojë të gjitha çështjet në të njëjtën kohë. Pra, ekziston një përpjekje për të adresuar të gjitha çështjet e hapura, duke filluar prej atyre për të cilat është arritur marrëveshje në dialogun e Brukselit dhe të cilat nuk janë zbatuar deri të një zgjidhje përfundimtare e konfliktit. E kuptoj se ka kundërshtim në Kosovë për një dialog teknik por është e qartë se qëllimi i Prishtinës duhet të jetë anëtarësimi në BE dhe një zgjidhje në veçanti për pesë vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj, në mënyrë që ta ketë të mundur të lëvizë përpara si shtet sovran. Por, jam gjithashtu e bindur se me qëllim të arritjes së një kthese të madhe politike është e domosdoshme të adresohen të gjitha çështjet, edhe nëse kjo e bën një pjesë të dialogut të duket teknik. E kemi parë në të kaluarën se shumë çështje në dukje teknike në fund të fundit janë shumë politike. Për këtë arsye mendoj se përparimi ka qenë shumë i vështirë. Mendoj se kjo çështje nuk ka të bëjë nëse dialogu është teknik apo politik pasi mendoj se njëri nuk shkon pa tjetrin. Mendoj se çështja qëndron të zgjidhja gjithëpërfshirëse. Përshtypja ime është se BE-ja po synon që të kalohet nga çështjet më shumë teknike tek pyetjet e mëdha politike në mënyrë që gradualisht të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përmbante në vete të gjitha çështjet.

*Instituti gjerman Aspen u themelua në Berlin më 1974 dhe që nga ajo kohë ka promovuar në mënyrë aktive idenë e komunitetit transatlantik dhe të një shoqërie të lirë dhe të hapur.