Ballina Opinione Çfarë fshehin Greqia dhe BE për Qipron?

Çfarë fshehin Greqia dhe BE për Qipron?

SHPËRNDAJE

Për të kuptuar thelbin e tensioneve të sotme në Mesdheun Lindor, duhen parë rrënjët historike të konfliktit. Në 15 korrik të vitit 1974, Greqia organizoi një grusht shteti në Qipro për të zbatuar planin grek “Enosis” të bashkimit të Qipros me Greqinë. Kështu, Greqia synonte të merrte të gjitha zonat detare të Qipros me rastin e bashkimit. Turqia ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur popullsinë turke të ishullit. Kjo ndërhyrje shpëtoi edhe vetë Qipron si shtet anëtar i OKB-së, që do të zhdukej po të bashkohej me Greqinë. As ShBA dhe as NATO nuk e ndaluan Turqinë, anëtare e NATO-s, të ndërhynte në vitin 1974 në Qipro. Burime diplomatike bëjnë të ditur se ShBA-ja dhe NATO dhanë miratimin e tyre për ndërhyrjen turke, pikërisht për të mos lejuar prishjen e shtetit të Qipros dhe bashkimin e tij me Greqinë.

Është e kuptueshme pse Greqia nuk e zë asnjëherë me gojë këtë faqe të errët të historisë së saj të re: grushtin e shtetit që organizoi në Qipro dhe planet e aneksimit grek të Qipros. E pakuptueshme është që as diplomacia e hileve e BE-së nuk e zë me gojë këtë të vërtetë historike të grushtit të shtetit grek në Qipro. Nuk e përmend, sepse BE-ja bëri gabimin e madh strategjik në vitin 2004 që futi në BE si anëtare gjysmështetin grek të Qipros, pikërisht kur Qiproja greke në prill 2004 sapo kishte refuzuar të pranonte dhe nuk e votoi planin e OKB-së për zgjidhjen e çeshtjes qipriotë në kohë që popullsia turke e ishullit e votoi planin e OKB-së. BE-së i duhej gjysmështeti i Qipro greke si anëtar, që nëpërmjet tij të siguronte bllokimin e integrimit të Turqisë në BE.

Popullsia turke e Qipros, duke parë qëndrimin hegjemonist dhe obstruksionist të Qipros greke, krijoi shtetin e vet të Republikës Turke të Qipros Veriore, dhe ajo ka të gjitha të drejtat që të eksplorojë dhe të shfrytëzojë ujërat territoriale, shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive të brigjeve të Republikës Turke të Qipros Veriore, me ndihmën e Turqisë. Në mënyrë absurde, Qipro greke dhe Greqia rivendikojnë pa të drejtë të shfrytëzojnë vetëm, pa popullsinë turke të ishullit, të gjitha hapësirat detare të ishullit, madje edhe ujërat territoriale të Republikës Turke të Qipros Veriore, duke injoruar të drejtat e popullit turk të ishullit, të cilit në bazë të të gjitha normave dhe ligjeve ndërkombëtare i takon shfrytëzimi i hapësirave detare të brigjeve të tij.

Nuk është rastësi që njësoj si më 1974 as tani ShBA dhe NATO nuk i përkrahën rivendikimet megalomane detare të Greqisë për ta pasur Mesdheun në pronësi si det grek, por detyruan Athinën, pa dëshirën e saj, që të nisë dialogun me Turqinë në selinë e NATO-s. “Megali idhea” detare dhe tokësore e Greqisë është plan i vjetër dhe i ri grek, të cilin nuk mund ta lejojnë ShBA dhe NATO. Sepse, tensionet artificiale gjeopolitike dhe gjeoenergjitike të Greqisë në detin Mesdhe u hapin rrugën faktorëve antiatlantikë në Mesdhe dhe largojnë ndikimin dhe peshën e NATO-s dhe të Perëndimit në këtë pellg nevralgjik detar botëror.