Ballina Aktuale Kërcënimet serbe dhe inferioriteti shqiptar

Kërcënimet serbe dhe inferioriteti shqiptar

SHPËRNDAJE

Kur ra Perandoria Osmane në vitin 1912 dhe shqiptarët shpallën pavarësinë e tyre brenda kufijve të sotëm të Shqipërisë londineze, dhe derisa Ushtria Osmane ende nuk kishte kaluar kufijtë e Ballkanit, ushtria serbe e zëvendësoi atë me shpejtësi marramendëse dhe gjatë muajve nëntor-dhjetor të këtij viti, Kosova u shndërrua në kasaphanë. Dëshminë më të mirë për këtë na e jep gazetari i shquar dhe shefi për informim i Perandorisë Austro-Hungareze, Leo Freundlich në librin e tij “Golgota shqiptare”, i cili u publikua pak kohë pasi ndodhi gjenocidi serb kundër shqiptarëve të pambrojtur. Në errësirën e kësaj kasaphane, Kosova mbijetoi gjatë gjithë shekullit njëzet.

Njësoj ndodhi pasi ra Jugosllavia e Versajës dhe u zëvendësua nga Jugosllavia komuniste për gjysmëshekullin e ardhshëm. Kur Fuqitë e Boshtit shënuan fitore kundër nazifashizmit dhe një pjesë e shqiptarëve besonin se më në fund mbërriti liria edhe për ata, viti 1945 ishte viti më tragjik për shqiptarët që mbetën nën ish-Federatën jugosllave. Rreth 7 000 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Drenicë, rreth 5.000 shqiptarë të Masakruar në Monopolin e Tivarit, rreth 6 000 në Anamoravë, rreth 3 000 në Monopolin e Tetovës dhe mijëra vrasje e masakra kundër shqiptarëve kudo që u gjendën ata.

Kur u shpërbë ish-Jugosllavia në vitin 1991, kombet që bashkëjetuan dhunshëm brenda saj, besuan se ndarja do të sjell paqe, por ishte pasuria që i theu keq ata. Serbët më egoistë se kombet tjera, provokuan katër luftëra dhe shkaktuan përgjakje të mëdha.

Njësoj ndodhi në mars të vitit 1999, më saktë një vit para se të përfundonte Mileniumi i Dytë në Kështjellën e Rambujesë, njëzet milje në jugperëndim të Parisit, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropianë, provuan t’i jepnin fund konfliktit shqiptaro-serb. Kur shqiptarët menduan se më në fund nxori krye paqja, shpërtheu lufta e përgjakshme.

Kërcënimi i para pak ditëve i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për mundësinë e një konflikti të ri në Kosovë dhe kërcënimi po ashtu i Klerit ortodoks serb se “koha është për t’u kthyer në Kosovë”, nuk janë për t’u nënçmuar. Sapo ne shqiptarët pranojmë kërcënime të këtilla, mendja na shkon tek forcat shumëkombëshe të KFOR-it në ruajtjen e kufijve të Kosovës. Udhëheqja e Kosovës duhet t’i merr përgjegjësitë e saj sipas Kushtetutës për të ardhmen e sigurisë së vendit, në rast të largimit të mundshëm të forcave të KFOR-it nga Kosova. Fundja Kosova nuk ka asnjë garanci për qëndrimin e tyre të përjetshëm.

Sa do të jemi të vëmendshëm në këtë pikë, lë shumëçka për të dëshiruar, aq më shumë kur të kihet parasysh gara e liderëve kosovarë për marrje të primatit se kush ishte më meritori për themelimin e ushtrisë së Kosovës, madje edhe duke mohuar rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Më shumë se nevoja për të patur një ushtri të rregullt dhe nevoja që kjo ushtri të pajiset me armatime për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mundshme, gara mori një dimension tjetër: atë të fudullëkut dhe bajraktarizmit të pakundshoq!