Ballina Aktuale Nëna Vaile, një shembull e përkryer e traditave të grave të Tërnocit

Nëna Vaile, një shembull e përkryer e traditave të grave të Tërnocit

SHPËRNDAJE

Tërnoci gjatë periudhave të ndryshme kohore, brez pas brezi ka nxjerr emra të shquar si nga bota burrërore, ashtu edhe nga ajo femërore. Kjo traditë e mirë njerëzore, e përmendur për bujari, fisnikëri dhe trimëri, vazhdon edhe sot, duke u falënderuar të parëve tanë të, që u lanë një nam jo vetëm Tërnocit, por edhe vendeve përreth.

Kësaj radhe për personazh të rrëfimit, do të merret Nëna Vaile, një bijë e Qamkëve e lindur në Lagjen e Shtekeve dhe e martuar në Lagjen e Terzive. Kjo nënë e devotshme tërnocase ishte bija e Qamilit e lindur dhe e rritur në mesin e dhjetë motrave dhe pesë vëllezërve.

E rritur dhe e edukuar në traditën e odave shqiptare, Nëna Vaile, u bë një shembull i mirë i mirësjelljes, tolerancës, solidarësisë, mikpritjes dhe bujarisë. Ajo u shqua edhe për vizionin e saj dhe këshillat, si një udhërrëfyese për brezat e ardhshme.

Shembëlltyra

Nëna Vaile, ndërroi jetë, në vitin e kaluar, në moshën 79 vjeçare. Ajo do të mbetet një shëmbëlltyrë e mirë e bijave të kulturës dhe traditës së Tërnocit, si një grua, me vetëdije të lartë, një pedagoge, amvise, këshilltare, me karakter të fuqishëm njerëzor.

Ajo do të mbetet një shëmbëlltyrë e një gruaje besimtare shumë të mirë dhe të devotshme, që aq shumë e ka dashur të mirën dhe të bukurën, te drejtën dhe dijen, e cila aq ka patur inteligjencë dhe prirje organizative dhe drejtuese.

Porosia

Vaile Rashiti, kjo nënë dhe grua e mrekullueshme shqiptare, gjithmonë reflektonte mirësi, duke porositur ata me të cilët kishte kontakte, që të punojnë për Tërnocin, të jenë të bashkuar dhe assesi të ndarë dhe të përçarë. Atë shumë e shqetësonin mospajtimet mes njerëzve, të cilat shpesh shoqëroheshin me inate e hasmëri. Ndërsa i behej zemra mal kur dëgjonte se në Tërnoc, njerëzit po solidarizohen me të varfrit, të pastrehët dhe të sëmurët. Kjo ndjenjë kaq fisnike e njerëzore e Nënës Vaile, vjen si rezultat i traditës së odës së Qamkëve, dera e së cilës gjithmonë ka qenë e hapur për miq e udhëtarë të rastit.

Kujtimi

Kujtimi për Nënën Vaile, nuk shuhet kurrë. Ajo ka një vit që është ndarë nga jeta, por emri i saj do të përmendet gjithmonë për të mirë. Brezat e tashëm dhe të ardhshëm do ta mbajnë të freskët kujtimin për një nënë kaq të urtë, të mençur dhe të dashur.

Çdo gjë humbet dhe tretet në këtë botë, përpos fjalëve dhe veprave që mbesin, si ato të Nënës Vaile!/ thuhet në një Jetapress/