Ballina Intervista Rudina Xhunga: Propozimi im për Kabinetin Rama 3!

Rudina Xhunga: Propozimi im për Kabinetin Rama 3!

SHPËRNDAJE

‘Në këtë moment kemi nevojë më shumë se kurrë për art dhe kulturë’, kështu u shpreh gazetarja Rudina Xhunga e ftuar në emisionin “Mëngjesi në Dritare TV”. Duke përmendur kohën e vështirë në të cilën po jetojmë, gazetarja Xhunga tha se duke investuar në art dhe kulturë, Shqipëria do të bëhet jo vetëm një vend më i mirë, por mbi të gjitha më i jetueshëm. Arti do t’i hapë rrugë të reja të rinjve, të cilët përmes projekteve që do t’ju mbështeten, do të gjejnë më shumë arsye për të qëndruar, se sa për t’u larguar nga vendi i tyre.

“Ndërsa qeveria Rama 3 pritet të nisë punën, një nga propozimet e mia është mbështetja për kulturën dhe artin në këto momente. Këto kohë që po jetojmë janë të vështira. Ky është një moment që ne vijmë nga pandemia dhe shkojmë në pandemi, nuk e dimë ku jemi, ku do vemi. Dhe veç anktheve njerëzore e frikërave shëndetësore, kemi rënë në grackën e shkretëtirës shpirtërore. Ndaj kemi nevojë për art dhe për kulturë më shumë se kurrë. Besomëni, shumë prej njerëzve që më kanë ardhur nga jashtë këtë verë më kanë treguar se Shqipëria më e bukur që kanë parë, ishte në Galerinë e Arteve.

Kjo do të thotë sa nevojë kemi për të tilla oaza, sa nevojë për kulturën, për librin, për muzikën, edhe për muzikën e rrugës, edhe për mini-paroditë e instagramit kemi nevojë. Hajde i japim një dorë kulturës sonë, hajde i japim një dorë të rinjve tanë dhe kjo nuk bëhet me fjalë, kjo bëhet realisht me projekte.

Me projekte për të mbështetur rininë, me projekte për të mbështetur kulturën, me projekte për t’ju dhënë mundësinë që të prodhojnë kulturë, të prodhojnë art. Atyre iu bën mirë se ndihen të dobishëm në vendin e vet dhe nuk presin ku do të ikin, por çfarë do të bëjnë. Dhe neve na bën mirë, se arti e kultura ta bën vendin më të jetueshëm.

Unë bëj timen por unë kam më shumë fjalë edhe vepra të vogla, por janë institucionet që kanë më shumë mundësi. Hajde të bashkohemi dhe ta bëjmë të jetueshëm këtë vend, sidomos në momente të tilla që janë të vështira por ne mund t’i kalojmë veçse bashkë siç kaluam edhe momentet tragjike të pandemisë, kur na lanë shumë njerëz të dashur. Tani jemi më pak, jemi më të dobët por kultura dhe arti mund të na ndihmojnë, mund të na përmirësojnë shijen e jetës. Sepse atë kemi humbur.

Kjo është një thirrje që unë kam realisht për kryeministrin Rama më shumë sesa për ministren e re dhe të vjetër të kulturës, për mundësi reale nëpërmjet projekteve për njerëzit e artit dhe kulturës, librit, sportit dhe medias, në Shqipëri. Shikojeni për shembull sesi po ndryshon Tirana nga disa grafitë, nga disa murale . Çfarë i bëjnë ato Tiranës? I kthejnë një buzëqeshje , një fasadë muri të ndryshon mëngjesin, kur ecën në atë rrugeë dhe e sheh. Po ç’i bën shpirtit arti dhe kultura! Kjo është thirrja ime dhe propozimi im për një rend dite që na e kanë përcaktuar fatkeqësitë njerëzore, por që mund ta shndërrojmë këtë moment, në një dorë që zgjatet drejt artit dhe kulturës. Na duhen sa s’ka, këtë çast./dritare.net/