Ballina Kulturë “Enigma e poezisë”, libri më i ri nga Sabri Hamiti KULTURA

“Enigma e poezisë”, libri më i ri nga Sabri Hamiti KULTURA

SHPËRNDAJE

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është bërë sot përurimi i librit më të ri të shkrimtarit të njohur, njëherësh profesor i letërsisë, Sabri Hamiti.

I titulluar “Enigma e poezisë”, Hamiti tha se ky libër është një dramë e vogël e kapërcimit nga shkrimi intim në leximin publik.

“Akti në vetvete e ka aventurën e librit të parë, si libër i fundit, apo andrrën autoriale të librit të fundit, si libër i parë. Po, le të jetë kjo fjalë e imja edhe si confession. Sa herë e zë veten ngushtë, poezia më shpëton, si ilaç a si farmakon. Poezia që thur enigmën, duke lënë shteg për zgjidhjen e saj. Prandaj, poezia është mirazi i parë dhe i fundit, që mund të jepet dhuratë për lexuesin e panjohur; ashtu dhe miqtë që bëhen bashkëbisedues në tryezën e nivelit të familjaritetit letrar”, ka thënë Hamiti.

Ai ka bërë të ditur se për ta shkruar këtë libër ka rivizituar poetë, e dijetarë të shqipes të shekullit XX dhe XXI.

“Gjergj Fishtën, i cili bashkon me zemër të hapur Zotin e Zanën, për të krijuar poezinë e idealitetit letrar të botës shqiptare, të cilin idealitet e mbron fuqishëm, po si veprën e vet. Lazër Shantojën, krijues e kanonist, që në aventurën poetike bëhet skandalizuesi i parë, i cili “Për nji puthje të vetme” krijon e shkatërron kurorën e lirikës personale me dashurinë. Ernest Koliqin, shkrimtar e poet, që me tharmin e artit poetik projekton kanonin letrar shqiptar në integralitetin e plotë të kësaj letërsie. Martin Camajn, i cili krijon poezi të rrënjës së vet, pastaj e lexon vetveten (i privuar nga lexuesi), për të zbuluar në fund enigmën me shqiptimin e palimpsestit të vet poetik. Rexhep Ismajlin, gjuhëtar e dijetar letrar, i cili jeton dramën, si “gjendje të ndërmjetme”, të përkthyesit të poezisë, si rikrijues, për të rritur komunikimin e saj poetik e kulturor. Zef Zorbën, i cili refuzon refuzimin duke shkruar vetëm një libër, libër të mbetur në dorëshkrim, librin e jetës e të alternativës moderne poetike”, është shprehur Hamiti.