Ballina Aktuale Vuçiç i kënaqur me marrëveshjen për targat: Kemi arritur një lloj zgjidhje...

Vuçiç i kënaqur me marrëveshjen për targat: Kemi arritur një lloj zgjidhje kompromisi

SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  ka bërë të ditur sot se pala serbe e ka pranuar në Bruksel marrëveshjen për targat.

“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”, tha Vuçiç në një konferencë për media në Nish.

Ndërsa sot Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se kjo gjë u arrit pas negociatave dy ditore që u bë nga delegacionet e dy shteteve.

“Ne e kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën për të vazhduar për sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar Lajçak.

Të dyja palët janë pajtuar për pikat e mëposhtme:

1. Njësitë Speciale të Policisë të vendosura aktualisht në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat duke filluar nga 2 tetori i vitit 2021 nga 08:00 e mëngjesit dhe do të përfundojë më së largu në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë dhe Bërnjak para fillimit të largimit të të dyja palëve dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të mbajtur një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

2. Që nga 4 tetori 2021 në orën 08:00, do të hyjë në fuqi regjimi i vendosjes së letrave ngjitëse që do të bëhet si është arritur pajtueshmëria në kuadër të procesit të dialogut dhe do të aplikohet si masë e përkohshme deri në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3. Do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe nga palët e Beogradit dhe Prishtinës, dhe i drejtuar nga BE-ja në mënyrë që të gjendet një zgjedhje e përhershme për targat bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do t’i prezantojë të gjeturat e për zgjidhjen e përhershme në nivelin më të lartë të formatit të dialogut.