Ballina Aktuale Dështon takimi NATO-Rusi, palët nuk tërhiqen nga qëndrimet

Dështon takimi NATO-Rusi, palët nuk tërhiqen nga qëndrimet

SHPËRNDAJE

Teksa tensionet mes NATO-s dhe Rusisë rriten, përfaqësues nga të dyja palët u takuan të mërkurën në selinë e Aleancës në Bruksel.

Por bisedimet e vështira nuk prodhuan një rezultat domethënës dhe ngërçi mbi çështjen e Ukrainës vazhdon.

Rusia, që ka mobilizuar 100 mijë trupa në kufi me fqinjin e saj, thotë se Kievi nuk duhet të bashkohet me NATO-n. Nga ana tjetër, Organizata akuzon Moskën për sjellje agresive dhe insiston për politikën e dyerve të hapura.

“Aleatët janë dakord se i takon vetëm Ukrainës dhe shteteve anëtare të vendosin se kur ky vend është gati të anëtarësohet. Askush tjetër s’mund të vendosë dhe Rusia nuk mund të vërë veton nëse Ukraina duhet të bëhet apo jo vend anëtar”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Por ndërsa NATO fokusohet tek Ukraina, një analist në Moskë thotë se tregimi i muskujve nga Rusia në kufi duhet konsideruar si pjesë e një strategjie më të madhe të Kremlinit.

“Nga këndvështrimi rus nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën, por për mënyrën se si po strukturohet ambienti i sigurisë në Evropë. Dhe kjo ide, që mbizotëron që prej fundit të Luftës së Ftohtë, është se bërthama e sigurisë evropiane është NATO. Dhe ajo që Rusia synon në bisedime është organizimi ndryshe i këtij strukturimi”, tha Fyodor Lukyanov, gazetar.

Se çfarë do të bëjë Kremlini mbetet enigmë. Ndërsa gazetarët hedhin poshtë mundësinë e pushtimit të Ukrainës, ata thonë se Rusia ndihet e kërcënuar nga zgjerimi i NATO-s në ish-republikat sovjetike.

Megjithatë, të dyja palët kanë vendosur të vijojnë dialogun dhe të takohen sërish. /euronews/