Ballina Aktuale Referendumi i Serbisë në Kosovë, Borrell thotë se qytetarëve duhet tu lejohet...

Referendumi i Serbisë në Kosovë, Borrell thotë se qytetarëve duhet tu lejohet e drejta për votim

SHPËRNDAJE

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se votat e referendumit për kushtetutën e Serbisë që mbahet të dielën në të kaluarën janë mbledhur me lehtësimin e misionit të OSBE-së.

Përmes Twitter-it, Borrell tha se për këtë ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, qytetarët duhet të lejohen ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me referendumin për Kushtetutën që organizohet të dielën në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën, është bërë përmes lehtësimin të OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkruan Borrell.

Ndryshe, të mërkurën mbrëma, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

Këtë qëndrim Kurti ia ka bërë të ditur përfaqësuesit të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, përmes telefonit.

Tutje kreu qeveritar tha se referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik.

“Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”, shkroi Kurti në Tëitter.

Më 29 dhjetor të vitit 2021, Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është në dijeni që Serbia synon të mbajë referendum në Kosovë, porse ai nuk pajtohet për një gjë të tillë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë… Ne jemi kundër dhe natyrisht që, si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë Kurti.

Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se për moslejimin e mbajtjes së referendumit në mjediset serbe në Kosovë, do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare.

“A do të reagoni kështu në qoftë se serbët në Kosovë do të ndalojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tyre ose që, mos dhëntë Zoti, në veri të thonë se zgjedhje të tilla nuk do të ketë fare”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Quint-it më 6 janar, është shprehur e pakënaqur me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar referendumin.

Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.

Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve. /Telegrafi/