Ballina Aktuale “Për” dhe “kundër” Referendumit në Serbi, që mbështet ndryshimin e Kushtetutës në favor...

“Për” dhe “kundër” Referendumit në Serbi, që mbështet ndryshimin e Kushtetutës në favor të reformave në gjyqësi

SHPËRNDAJE

Kanë mbetur edhe pak ditë deri të dielën e 16 janarit, kur do të hapen kutiat për votimin e Referendumit në Serbi, rreth ndryshimit të Kushtetutës aktuale në pjesët që kanë të bëjë me gjyqësorin, në mënyrë që në të ardhmen gjyqtarët dhe prokurorët të mos zgjidhen nga Kuvendi Republikan, por nga sfera e profesionistëve.
Një këtë drejtim një kontribut të madh e kanë dhënë ndërkombëtarët, të cilët prej vitesh u kanë bërë presion krerëve institucional në Serbi, që të bëhen reforma në drejtësi, që gjyqet të jenë të pavarura dhe jot ë kapura nga shteti.
Lidhur me këto iniciativa dhe presione, nuk kanë mbetur anash as liderët e skenës politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, të cilët me reagime, kumtesa politike, peticione e forma të tjera të organizimit politik e kanë kundërshtuar drejtësinë në Serbi, sit ë njëanshme, të padrejtë dhe represive për shqiptarët.
Askund në botë nuk ka si në Preshevë me 95 për qind shqiptarë e në Bujanoc me 65 për qind shqiptarë, të jetë kryetar i gjykatës përfaqësuesi i palës serbe, që në këto komuna është pakicë. Po të kishte qenë drejtësia në rregull në Serbi deri tani, nuk do të kishte lejuar këso veprimesh anticivilizuese.
Kurse tani kur ka ardhur koha për t’i thënë stop këtyre dukurive negative me formë referendum liderët politikë shqiptarë në Luginë heshtin, nuk dalin me qëndrime rreth këtij procesi të rëndësishëm shoqërorë për ta drejtuar popullin se nga t’ia mbajë?!
Portali “Jetapress”, ka marrë një prononcim nga koordinatori i Shoqërisë Civile Nexhmedin Saqipi, rreth angazhimeve të shqiptarëve para mbajtjes së Referendumit për reforma dhe ndryshime në gjyqësorin serb.
I pyetur z. Saqipi, se çfarë mendon rreth këtyre dukurive politike rreth Referendumit, ai, me një shqetësim u shpreh se nuk është hera e parë që qytetarët shqiptarë gjenden para një akti të kryer.
“Sa herë që janë mbajtur zgjedhjet presidenciale, regjistrimi i popullsisë, si dhe kjo e fundit e Referendumit për ndryshime në Kushtetutën e Serbisë rreth gjyqësorit, partitë politike kanë heshtur, duke lënë anëtarësinë dhe të popullit, të vendosin vet, për pjesëmarrje, apo bojkot! Kjo është e papranueshme, jashtë logjikës dhe antiqytetëruese. Themi kështu, ngase për procese të tjera si janë ato të zgjedhjeve për pushtet lokal, apo republikan, bëhen copa duke u akuzuar nëpër fushata elektorale e debate televizive, duke harxhuar mjete dhe duke akuzuar njeri tjetrin, në luftë për karriga e privilegje”, thotë i mllefosur koordinatori Saqipi.
Ai, më tej, vë në spikamë papërgjegjësinë e politikanëve shqiptarë të cilët nuk dalin para qytetarëve me argumente pse nuk duhet dalur në Referendum, ose e kundërta pse duhet ta mbështetim atë, çka fitojmë dhe çka humbin nga bojkoti, apo pjesëmarrja?!”
Heshtja e liderëve institucionalë e partiakë shqiptarë në këto moment, krijon huti, defetizëm dhe mosdëgjueshmëri te qytetarët, të cilët i kanë sytë e veshët te të zgjedhurit e tyre, të cilët bëjnë zhurmë për gjëra të imta a heshtin ndaj atyre, që po na zënë frymën për ditë, u shpreh për Jetapress, Naxhmedin Saqipi, koordinator i Shoqërisë Civile.