Ballina Aktuale Escobar jep sinjale pozitive për dialogun Kosovë-Serbi: Shumë shpejt mund të biem...

Escobar jep sinjale pozitive për dialogun Kosovë-Serbi: Shumë shpejt mund të biem dakord se si të ecim përpara

SHPËRNDAJE

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar ka deklaruar se nuk ka afate lidhur me propozimin Francezo-Gjerman që SHBA e mbështet dhe që duhet shqyrtuar, pasi do të ndihmojë të arrijnë progres të shpejt në dialog. 

Ai shtoi se nuk ka specifikuar asnjë afat, kështu që ai propozim është ende në kontekstin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Escobar ka folur edhe për kërkesën e tyre që të shtyhet afati për implementimin e vendimit për targat.

“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme, shpresoj shumë që ata ta zgjasin afatin. Shpresoj që do të pranojë kërkesën e vendeve të KVINTIT dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë më pak kaotik zbatimin dhe për tu arritur kushtet për vlefshmëri të zbatimit. Ky propozim duhet të shqyrtohet me shumë kujdes dhe duhet parë në kontekstin e asaj që po ndodh në Evropë. Evropa po përballet me një nga krizat më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore dhe është e rëndësishme të konsolidojmë komunitetin tonë duke krijuar stabilitet në hapësirën evropiane ndërkohë që përballemi me krizën në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ideja e përparimit drejt krijimit të një situate stabile në Ballkan është absolutisht e rëndësishme në këtë moment, sa më shpejt të jetë e mundur të shqyrtohen mundësitë që të arrijmë këtë do të jetë më mirë”, tha ai.

Escobar është pyetur nëse ka diskutuar me autoritetet e Kosovës çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin ka thënë se nuk ka afate, por besojnë se është një obligim ekzistues që duhet të përmbushet.

“ Tash është obligim ekzistues, i vetmi obligim në kuadër të dialogut të Brukselit që kaloi në Kuvendin e Kosovës, për këtë është e rëndësishme zgjidhja e kësaj çështjeje kur mendoj për komunitetin në veri të Kosovës dhe për atë si mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre edhe si qytetarë të Serbisë edhe si qytetarë të Kosovës. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën kulturore, shoqërore dhe politike të Serbisë në pajtim me kushtetutën e Serbisë dhe në bazë të shtetësisë së tyre serbe, por kanë edhe të drejtën e mbrojtjes së plotë të institucioneve të Kosovës në bazë të Shtetësisë së Kosovës, prandaj krijimi i asociacionit të komunave serbe është parakusht kyç për arritjen e progresit”, tha ai.