Ballina Aktuale Mediumi serb: Asociacioni deri në fund të prillit, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi deri...

Mediumi serb: Asociacioni deri në fund të prillit, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi deri në qershor

SHPËRNDAJE

Viti 2023,  ka filluar “në mënyrë dinamike”, me një ofensivë të madhe diplomatike ndaj Prishtinës dhe Beogradit, duke marrë parasysh se pritet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy vendeve brenda këtij viti.

Kështu shkruan një medium në Serbi, sipas të cilit, zyrtarët evropianë dhe botërorë e vizitojnë Ballkanin pothuajse çdo javë dhe mesazhet që dërgojnë konfirmojnë se Kosova dhe Serbia duhet të shpejtojnë dhe të ulen në bisedime sa më parë, përcjell Telegrafi.

Siç shkruan mediumi serb Nova – sipas ‘burimeve të mirë-informuara’, afati për arritjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë është muaji prill dhe pritet që deri në qershor të nënshkruhet marrëveshja mes dy palëve.

Siç thekson mediumi në fjalë, dy pikat kyçe të pengesës në bisedimet mes dy palëve janë formimi i Asociacionit, i cili nuk i përshtatet Prishtinës, ndërsa problemi kryesor i Beogradit është dispozita e propozimit franko-gjerman e cila kërkon që Serbia të mos bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Konkretisht, vë në pah ky medium, një pikë e tillë e “propozimit evropian”, që është korniza kryesore e negociatave, do të nënkuptonte edhe hyrjen potenciale të Kosovës në Kombet e Bashkuara, që është “një vijë e kuqe” në negociatat për Serbinë.

Për “vijat e kuqe” ka folur edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shkruan më tej ky medium.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me katër diplomatë të tjerë ndërkombëtarë kanë qëndruar pak ditë më parë në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajçak ka thënë se pas takimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, planifikon që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.

Gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak ishte i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Lajçak tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takime. /Telegrafi/