Ballina Lajme Kryeministrja italiane: BE duhet të ketë një vizion të ri ndaj Ballkanit...

Kryeministrja italiane: BE duhet të ketë një vizion të ri ndaj Ballkanit Perëndimor

SHPËRNDAJE

Në Trieste të Italisë sot u mbajt një konferencë për Ballkanin Perëndimor dhe shtimin e vëmendjes së Italisë ndaj këtij rajoni.

Folëse ishte edhe vetë kryeministrja Giorgia Meloni, e cila tha se “Bashkimi Europian duhet të zhvillojë një vizion të ri ndaj Ballkanit Perëndimor”.

“Ne e dimë se sa i rëndësishëm është ky rajon për të ardhmen e Europës si e tërë. Ballkani Perëndimor duhet të jetë prioritet për Europën”, tha ajo.

“Sjellja e Italisë sa më shumë në Ballkan është qëllimi i kësaj qeverie dhe Konferenca për Ballkanin që po zhvillohet në Trieste është një pjesë e këtij procesi. Kjo është ajo që na kërkojnë të gjithë miqtë e rajonit, e kam vëzhguar personalisht me rastin e samitit të Tiranës. Ne jemi protagonistë në rajon, por duhet ta rinovojmë këtë prani dhe të investojmë në sektorë strategjikë”, shtoi Meloni.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, foli për stabilitetin e rajonit, duke përmendur edhe praninë e ushtarëve italianë në Kosovë.

“Stabiliteti nënkupton edhe mundësinë e rritjes ekonomike dhe praninë e ndërmarrjeve tona. Me ministrin Crosetto [ministër i Mbrojtjes së Italisë] kemi tashmë në Serbi dhe Kosovë edhe për ta lehtësuar dialogun mes këtyre dy vendeve. Edhe falë pranisë së shumë ushtarëve italianë besoj se kjo mund të jetë pozitive për vendin tonë”, ka theksuar ai.

Ai tha se prania italiane në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të rritet edhe më shumë.

“Dita e sotme duhet të shërbejë për të bashkuar të gjitha forcat italiane të sektorëve të ndryshëm, sipërmarrëse dhe politike, edhe me bekimin e BE-së, për të nisur një prani gjithnjë e më të fortë të vendit tonë në një rajon që duhet të bëhet edhe pjesë e tregut europian. Ne jemi për një përshpejtim të proceseve të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Po ashtu, Tajani u zotua se do të mbështesin këtë rajon edhe financiarisht.