Ballina Lajme Nga Bota Zjarr në një strehimore në Krime, 8 të vdekur

Zjarr në një strehimore në Krime, 8 të vdekur

SHPËRNDAJE

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën për shkak të zjarrit që përfshiu një ndërtesë të përkohshme strehimi për punëtorët e ndërtimit në Sevastopol, në gadishullin e Krimesë.

Sipas raporteve, zjarri, i cili shpërtheu gjatë natës në ndërtesën në periferi të Sevastopolit, u shkaktua nga një qark i shkurtër në një pajisje elektrike. Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, të njohur si territor ukrainas nga shumica e vendeve, nga Ukraina në vitin 2014.

Mikhail Raznozaev, guvernatori i emëruar nga Rusia, tha se zjarri shpërtheu në një shtëpi dykatëshe të punëtorëve të ndërtimit në autostradën Tavrida, një rrugë që lidh Sevastopolin dhe Simferopolin, në gadishullin e Krimesë.

Në kohën kur shpërtheu zjarri, gjithsej ndodheshin 185 persona në ndërtesë. Sipas informacioneve të fundit, shkak i zjarrit ka qenë mosfunksionimi i disa pajisjeve elektrike.

Zjarri u shua mëngjesin e sotëm, tha Raznozaev në një postim në Telegram.

Sipas informacioneve dy punëtorë janë dërguar në spital.