Ballina Aktuale Pse 1 Maji, nuk festohet në Medvegjë?

Pse 1 Maji, nuk festohet në Medvegjë?

SHPËRNDAJE

Reportazh

Nga Rejhane Rexhepi

Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet, më 1 Maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte ne orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA).

Po kjo festë kaq e rëndësishme për punëtorët e botës, a kremtohet sot edhe në Medvegjë?

Tani jo, por dikur Festa e 1 Majit, u pat bërë tradicionale. Deri në vitin 2019, fillimi i muajit maj, për shqiptarët e Medvegjës, njërës nga komunat më të vogla të Luginës së Preshevës, paraqiste festën e dyfishtë: kremtimin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe manifestimin e takimeve të vendlindjes, që të dyja bashkë, për 16 vjet me radhë.

Takimet e harruara

Që nga viti 2019, po bëhen katër vjet, Tupalla, një nga vendet më të mrekullueshme shqiptare të Medvegjës, ka heq dorë, pa dëshirën e saj, organizimin dhe mbajtjen e këtyre festave, të cilat mjerisht, sot, janë reduktuar në shënimin me moton: “Ditët e Diasporës”, të cilat mbahen në Banjë të Sijarinës, me një ndërprerje trevjeçare, për të vazhduar vitin e kaluar më 9 gusht, me nismën për të vazhduar edhe viteve të tjera. Por, “Ditët e Diasporës”, nuk mund të krahasohen me Festat e 1 Majit, që organizoheshin dikur me shumë aktivitete kulturore e sportive, si dhe me një pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dhe më gjerë.

 Dikur u pat zgjedhur Tupalla për organizimin e Festave të 1 Majit, ngase është një nga vendet më të bukura shqiptare të Medvegjës, jo pse është qind për qind shqiptare, por edhe pse është vendlindja e linguistit më të njohur shqiptar akademik Idriz Ajeti, si dhe personaliteteve të tjera si ajo e heroit të popullit Zenel Hajdini, që e mban me pietet të lartë emrin e tij shkolla fillore e fshatit dhe humanisti dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Xhim Xhema etj.

Malli për vendlindjen

Por, Tupalla e cila na bashkonte në festat e 1 Majit, nuk jehon gjatë majit me valle e këngë shqiptare, me lojëra sportive e me vizita nëpër shtëpitë e atyre që u braktisën prej vitesh pa vullnetin e tyre.  Tupalla e 1 majit dhe takimeve të vendlindjes, nuk po i mirëpret si dikur, në këto feta kaq të dashura për punëtorët e botës, pjesëmarrësit nga vise të ndryshme etnike, me ngrohtësinë  e mikpritjes vëllazërore, bujarisë dhe mirësisë shekullore e shoqëruar me përqafime e shtrëngim duarsh, fjalime inkurajuese, recitime, këngë e valle popullore, si dhe lojëra sportive.

Në  “Takimet e vendlindjes – Tupalla 2019”, para katër vitesh, i pat pritur përveç medvegjasëve të shpërngul nga viti 1999, në Kosovë edhe struktura politike e institucionale shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva, atëhere kur ishte Leme Xhema, nënkryetare e Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, zëvendëskryetar i Kuvendit Komunal të Medvegjës, drejtoresha e Shkollës Fillore “Zenel Hajdini”, Arlinda Kadriu, Lirona Zuka dhe veprimtarë të tjerë, të cilët, mjerisht, në këto manifestime nuk janë aktivë, disa prej të cilëve edhe janë larguar për në Kosovë.

Tupalla bashkë me Medvegjën, po shuhet ngadalë, duke lënë prapa jehonën e atyre viteve të bujshme të veprimtarisë atdhetare, ngase po zvogëlohen në heshtje, duke u pasivizuar në regjistrat e gjendjes civile, por edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë nga Enti Republikan i Statistikës së Beogradit, me një rezultat prej 905 banorëve nga 6.360 sish, sa ka Komuna e Medvegjës.

Javashllëku politik

Nga kjo gjendje alarmante askush nga partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës, nuk e çanë kokën edhe pse dikur u bënin copa se kush më shumë t’i formoj degët e tyre në Medvegjë, duke e përçarë e parcializuar këtë vendbanim të mrekullueshëm, i cili pas viteve të 50-ta e kishte kryetarin e Komunës së Sijarinës, me origjinë shqiptare. Më vonë Beogradi ia mori statusin e komunës Sijarinës, duke e krijuar komunën e re me emrin Medvegja, e cila ngriti përqindje e përkatësisë nacionale të serbëve, kundrejt shqiptarëve.

Për këto probleme nuk “argëtohet” aq shumë spektri politik shqiptar, i cili po është i kënaqur të mbaj pushtet lokal në Preshevë dhe Bujanoc dhe një Këshill Kombëtar Shqiptar, të cilin edhe ashtu e kanë future në masa të dhunshme, me një të ardhme jot ë sigurt për të.

Pavarësisht nga këto kalkulime politike, jehona e festave të 1 Majit, nuk është dashur të shuhet, ngase ajo mbante gjallë frymën kombëtare të këtyre viseve etnike, si dhe përkujtonte kujtesën dhe mallin e pashuar për shtëpitë e boshatisura dhe varret e të parëve. /Jetapress/