Ballina Intervista HASANI TREGON SI ËSHTË TË JESH DEPUTET I VETËM SHQIPTAR NË PARLAMENTIN...

HASANI TREGON SI ËSHTË TË JESH DEPUTET I VETËM SHQIPTAR NË PARLAMENTIN E SERBISË

SHPËRNDAJE

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, ka thënë se Qeveria e Beogradit nuk i përmbush standardet evropiane për zgjidhjen e problemeve të pakicave në këtë shtet shumëetnik.

Përkundër kësaj ai thotë se nuk shqetësohen shumë me reagimet e deputetëve serbë kundër shqiptarëve. Sipas tij me rëndësi është që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në Parlamentin serb, nga i cili sipas tij dalin ligje jo të favorshme për shqiptarët dhe të tjerët, që trajtohen si pakicë në shtetin ku jetojnë.

Hasani për media ka thënë se zëri i deputetëve të pakicave komëtare në Kuvendin Republikan të Serbisë, organit më të lartë shtetëror legjislativ, dëgjohet pjesërisht.

“Nuk do të thotë se mungon jehona e diskutimeve të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë në Serbi, në foltoren e Parlamentit, por realizimi i kërkesave të tyre bëhet në mënyrë selektive, varësisht nga cila pakicë vjen zëri. Kur themi kështu kemi parasysh diskutimet e hungarezëve, sanxhaklinjve, nga të cilët edhe kryesia e Kuvendit ka një rezervë, për shkak origjinës dhe shteteve që i mbështesin. Ne shqiptarët jemi pakica më e pambrojtur në Serbi dhe peng i marrëdhënieve të këqija në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Sa herë që trazohet situata te serbët e Kosovës, Serbia revanshohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke i vënë në pozita të palakmueshme.”- tha Hasani.

Përveç kësaj, Hasani ka folur edhe për reagimin që kanë deputetët serbë ndaj pyetjeve të deputetëve pakicë në Parlamentin Serb. Sipas tij, sa herë që deputetët e pakicave kombëtare e sidomos ajo shqiptare bënë ndonjë pyetje ose merr fjalën për diskutim në foltoren e Kuvendit, zgjon reagimin e deputetëve serbë, të cilët janë të prirë për provokime të ulëta dhe jashtënjerëzore.

“A është punë që “non stop”, të jesh kujdestar në shtruarjen e kërkesave për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kur nuk ka disponim nga deputetët e shumicës të dëgjojnë ankimime të tilla, a nga ana tjetër Qeveria e Beogradit, nuk i përmbush standardet evropiane për zgjidhjen e problemeve të pakicave në këtë shtet multietnik, multikulturor e multikonfeksional”, ka shtuar më tutje Hasani.

Më tutje, Hasani ka folur edhe për marrëdhëniet Shqipëri- Serbi të cilat sipas tij kanë filluar të përmirësohen ngadalë me takimin e kryeministrit Rama dhe Vuçiq dhe me Forumin e bisneseve shqiptaro-serbe.

“Ne i falënderohemi kryeministrit Rama, për organizimin e takimit tre palësh: Rama  – Vuçiq  – liderët institucionalë të shqiptarëve nga Lugina, në të cilin takim arritëm t’i shtrojmë disa çështje dhe probleme të pazgjidhura dhe të marrim përgjigje, aty për aty, nga kryeministri Vuçiq për disa probleme në fushën e arsimit dhe zhvillimit ekonomik. Ka filluar një bashkëpunim tregtar, por jo në atë masë që është pritur”, është shprehur Hasani,

Ndërsa, për takimin e parë në mes përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë, ekonomisë dhe industrisë shqiptaro – serbe, Hasani ka thënë se dy shtetet po punojnë përlehtësimin e realizimit të bizneseve, por fillimi tregon disa vështirësi sepse plasimi i mallit të ri lyp pak kohë. Mendojmë se ka hapësirë për bashkëpunim tregtar, por duke shikuar raportin reciprok të eksport –  importit.

Hasani tregon se ka edhe deputetë tjerë me orgjinë shqiptare mirëpo sipas tij ata hezitojnë të deklarohen publikisht.

“Unë jam i vetmi shqiptar nga Lugina e Preshevës, në Parlamentin serb, por aty ka edhe deputetë të tjerë me origjinë shqiptare nga Sanxhaku, të cilët hezitojnë të deklarohen publikisht. Kemi formuar grupin parlamentar me Lidhjen e hungarezëve të Vojvodinës. Ata janë katër deputetë edhe unë, gjithsej 5 deputetë. Para seancave të Kuvendit, gjatë dhe pas tyre, konsultohemi mes vete me një korrektësi dhe më ndihmojnë për disa punë ku ka ata kanë mundësi. Qëndroj mirë edhe me gjithë deputetët sanxhaklinj dhe me një kroat, pa përjashtuar ata të Serbisë së Re.”. Jam i rregullt në séance kuvendore dhe aktiv si në Kuvend si në Këshillin për arsim, si me diskutime ashtu edhe me pyetje”, ka shtuar Hasani.

Hasani bëri të ditur se është duke i zhvilluar disa vizita nëpër ambasadat e shteteve të huaja të akredituara në Beograd si dhe nëpër institucionet e larta shtetërore. Sipas tij këto vizita po bëhen për t’i lëvizur gjërat në frymën e zgjidhjes së problemeve shqiptare  të gurmbullara prej vitesh.
“Ne me preferimin e OSBE – së dhe faktorëve të tjerë relevantë, kemi pranuar të jemi pjesë e Qeverisë së Serbisë, por nuk do të thotë se jemi kurorëzuar me të. Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona për ndryshimin e gjendjes së vështirë politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Luginë dhe më gjerë, nuk do të thotë se s’do të veprojmë ndryshe, të kalimit në opozitë,” tha Hasani.

Hasani ka zyrën e deputetit në Komunën e Bujanocit ku zhvillon takime me qytetarë dy ose tre herë në javë. Në rast se Hasani nuk është aty ai ka edhe asistentin e tij i cili çdoherë është i pranishëm në zyre dhe pret për vizita qytetarë të shumtë të cilët i parashtrojnë kërkesat e tyre dhe presin realizmin e tyre.  / Sevdail Hyseni për Gazeta e Re nga Lugina e Preshevës