Ballina Lajme Nga Vendi Komandatët dhe haraçistat, lanë në terr Kosovën

Komandatët dhe haraçistat, lanë në terr Kosovën

SHPËRNDAJE

“Vendi nuk duhet qeverisur  nga partizanët,  e as enveristët internacionalistë, dhe derisa vendi do të qeveriset nga mafia, nga komandantë pa ushtri, komandantë zaptues, të pasurisë kombëtare, haraçista, nga të fortë, nga muskulozë, dhe nga njerëz që janë të kapur me mijëra fije nga shërbimet sekrete të ish sigurimit të shtetit të Shqipërisë dhe të Serbisë, nuk do të ketë kurrë dritë”, ka thënë anasliti Rexhep Shahu.

Kosova ndodhet në udhëkryq për shkak të interesave politike që e kanë mbërthyer atë, prandaj dhe humbi një vit të rëndësishëm duke bërë kështu pazar dhe zgjedhje të pazarit për pushtet.  Sipas njohësve të çështjeve politike Kosova, në vazhdimësi ka humbur dhe vazhdon të humbë si pasojë e pazareve në prapaskena, nga ata që synojnë pushtetin vetëm për të arritur aty ku ata synojnë.  Sipas të njëjtëve, Kosova dhe politikanët  nuk e kanë luksin dhe nuk guxojnë të kenë sjellje kaq të ftohta karshi ngjarjeve situatave që po ndodhin çdo ditë në vend.

Ata  vlerësojnë, se kjo sjellje e kësaj forme nga këta njerëz, të lë të kuptosh se ata po e konsiderojnë vetë të gjithpushtetshëm dhe se mund të vazhdojnë si të tillë pasi pushtetin e kanë të garantuar si rezultat i koncesioneve për pushtet dhe si rezultat i nepotizmit që kanë shfaqur me vite të tëra, duke keqpërdorur  pushtetin deri në pakufi.

Arbër Gashi njohës i çështjeve politike ka pohuar, se Kosova ndodhet në udhëkryq për shkak të interesave politike që e kanë mbërthyer atë.   Ai ka vlerësuar, se këto interesa të veshura me pushtet dallojnë nga interesi real i qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Ngado që të shkojmë në Kosovë, ballafaqohemi me pakënaqësinë dhe brengën e qytetarëve. Megjithatë, kjo pakënaqësi nuk prodhon detyrimisht protestë, për shkak të një organizimi më të mirë kundër këtyre dukurive, ku iu mungon mbështetja cilësore e mediale.”, ka thënë Gashi.

Vendin nuk duhet qeverisur partizanët e enveristët!

Rexhep Shahu analist politik ka pohuar se Kosova dhe Shqipëria kanë humbur dhe do humbin edhe shumë vite deri sa nuk do të qeverisin e drejtojnë njerëz të ditur.

“ Vendin nuk duhet qeverisur  nga partizanët,  e as enveristët internacionalistë, dhe derisa vendi do të qeveriset nga mafia, nga komandantë pa ushtri, komandantë zaptues, të pasurisë kombëtare, haraçista, nga të fortë, nga muskulozë, dhe nga njerëz që janë të kapur me mijëra fije nga shërbimet sekrete të ish sigurimit të shtetit të Shqipërisë dhe të Serbisë, nuk do të ketë kurrë dritë”, ka thënë Shahu.

Ai ka pohuar se shumë vite do të humbim nëse njerëzit do duartrokasin injorantët që vjedhin vota, që vjedhin pushtetin dhe me dhunë  e qeverisin atë , me forcë fisi e fuqi parash.

Ndërsa, Leon Duhanaj analist politik ka pohuar, se Kosova,  ka humbur, jo vetëm një vit, por  ka stagnuar për shumë vite mbrapa, si pasojë e politikës në vend.  Sipas tij, për fat të keq, shoqëria jonë si ajo politike, por edhe në segmentet tjera në tërësi, nuk po arrin ta kuptoj drejt se çka është shteti dhe se si duhet përkujdesur për të mirën e përbashkët, për të mirën e përgjithshme

“ Nuk ka asnjë argument logjik, që mund t’i arsyetojë manovrimet e partive politike, të cilat kalkulimet e vetme që i bëjnë; janë lufta për pushtet, duke vepruar në kundërshtim të plotë me interesat e shtetit dhe qytetarëve të tij.Një rast i tillë flagrant, i cili në këtë rast mund të përmendet si shembull, është edhe mosmarrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Edhe pse ishte një kusht totalisht i padrejtë nga BE ndaj Kosovës. Ky mund të cilësohet dhe është si pasojë e politikës korruptive vendore”, ka thënë Duhanaj. Ky i fundit, ka pohuar se ka qenë e udhës dhe, njëkohësisht obligim moral, ligjorë dhe kushtetues, që partitë politike, të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe konsensus për zgjidhjen e këtij problemi.

“Nuk kanë treguar as më të voglën iniciativë, drejt përafrimit në qëndrimet e tyre. Edhe pse të vetëdijshëm se qytetarëve po ua zgjasin agoninë duke mbetur të izoluar nën karantinë në mes të Evropës. Kjo është vetëm një nga shumë dështime të politikës së Kosovës  e cila në përgjithësi ka deficit profesional por çka është më e keqja  është deficiti moral dhe njerëzor. Mungesa e vullnetit për të shërbyer në interes të vendit dhe qytetarëve, ka bërë ata që t’i favorizojnë interesat personale dhe grupore, klanore e partiake. Prandaj është koha që shqiptarët të fillojnë me u këndell dhe t’i analizojnë mirë përfaqësuesit potencial të tyre, duke e pastruar skenën politike nga degraduesit me anë të votës”, ka thënë Duhanaj.

Xhirimet boshe të politikës 

Artur Roshi, njohës i çështjeve politike ka pohuar se në kapitalizëm, fitimi matet me kohën, e jo me të ardhurat materiale.  Sipas tij, kjo do të thotë se, koha është faktor i rëndësishëm në zhvillimin e një vendi, pasi në këtë kontekst ne kemi një xhirim bosh të politikës së Kosovë, e cila po humb energji të kota në drejtim të interesave të vogla dhe jo në drejtim të zhvillimit të vendit. “Në vendet e qytetëruara të lënë të gabosh kur qeveris dhe në fund të mandatit të japin atë që meriton me votë. Kjo gjë ndodh për këtë arsye që vendi të zhvillohet sa më shumë të jetë e mundur nga të gjitha palët, pavarësisht se forcat e majta politike kryesisht më të mirën kanë sensacionin. Shqiptarët në Maqedoni treguan se asnjë forcë politike nuk e ka me tapi besimin e tyre. Kjo është njëlloj vetëdije që po zgjohet dhe vlen ta vlerësojmë. Uroj që vitin që vjen qytetarët të marrin “lirinë e lëvizjes” në Evropë dhe qeveria të plotësojë detyrimet për këtë nevojë jetike për Kosovën”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

Ndërsa, Nexhmedin Mustafa politolog ka pohuar se, servilizmi ndaj të tjerëve duket se nuk buron tash si diçka e re, por edhe historia ka shpërfaqur elemente se lehtë jemi bërë servil edhe ndaj pushtuesve të ndryshëm ndër shekuj, përtej kësaj kjo ka shkuar aq larg sa që edhe vullnetarisht i kemi shërbyer pushtuesit në arritjen dhe përmbushjen e objektivave të tij.  Sipas tij, jo vetëm këtë vit, por ata që merren me politikë sot në Kosovë e synojnë pushtetin në mënyrën dhe formën më jo etike të mundshme.   “Nuk do mend se ardhja në pushtet dhe formimi i koalicioneve qeveritare në vend, nga shumica e subjekteve politike ka ndodhur edhe si rezultat i kompromiseve si pasojë e ndikimit jashtë vendit. Kjo zgjon kureshtje dhe kërkon studim dhe analizë pse kaq lehtë politikbërësit në Kosovë vihen në shërbim të interesave të huaja, bëhen servil të këtyre interesave, duke humbur tërësisht qëllimin për çfarë edhe thirren”, ka thënë Mustafa.   Sipas tij, nuk mund të mendohet ndryshe dhe as të nxirren kolaudime se këta pse njerëz veprojnë në këtë mënyrë, pos që ky lloj i individëve, para interesit shtetëror e qytetar, kanë interesin personal, familjar, klanor e kështu me radhë.

Servilizmi  i pasqyruar tek politikanët

“Qytetari i këtij vendi, në vitet që po lëmë pas ka parë një lloj shfrenimi në politikë nga ata që pretendojnë pushtetin. Ky lloj i shfrenimit nga shumica e  politikanëve të Kosovës përfshin gënjeshtrën, mashtrimin, vjedhjen, nepotizmin, shantazhin, korrupsionin dhe elemente tjera të konspiracionit  e servilizimit, që në esencë paraqesin pasqyrën e politikanit të Kosovës. Koncesionet që këta njerëz kanë bërë me elemente indoktrinuese e konspirative të huaja që pak i dimë e shumëçka nuk dimë, i kanë kushtuar dhe vazhdojnë ti kushtojnë Kosovës dhe qytetarit të saj në formën më të mjerë”, është shprehur Mustafa.  Ai ka theksuar se Kosova, në vazhdimësi ka humbur dhe vazhdon të humbë si pasojë e pazareve në prapaskena nga ata që synojnë pushtetin vetëm për të arritur aty ku ata synojnë.  “Kosova dhe politikanët, këtu nuk e kanë luksin dhe nuk guxojnë të kenë sjellje kaq të ftohta karshi ngjarjeve situatave që po ndodhin çdo ditë në vend. Në fakt, kjo sjellje e kësaj forme çfarë është nga këta njerëz, të lë të kuptosh se po e konsiderojnë veten të gjithëpushtetshëm dhe se mund të vazhdojnë si të tillë, ngase pushtetin e kanë të garantuar si rezultat i koncesioneve për pushtet dhe si rezultat i nepotizmit që kanë shfaqur me vite të tëra, duke keqpërdorur  pushtetin deri në pakufi. Kjo sjellje nuk përkon me sjelljen e një politikani dhe me vlerat e këtij profesioni. Tjetër çështje është se ky profesion është keqkuptuar nga shoqëria e vendit në përgjithësi, e nga vetë ata që keqpërdorin këtë profesion, në veçanti”, ka deklaruar Mustafa. Sipas të njëjtit, Kosova nuk ka përfaqësues të denjë, të cilët do të duhej të thirreshin në emër të shumicës së popullit. “ Fakti i pikëpresjes së fuqive të mëdha botërore që rëndon këtë vend të vogël është edhe një çështje tjetër që tregon dhe mund të shërbej si argument i asaj çfarë po shohim. Mirëpo, kjo e fundit do të duhej të shërbente dhe të ishte një mësim për politikanët tanë që po qeverisin me vendin, se sa e rëndësishme është dhe sa të nevojshme e ka ky vend qeverisjen nga burra e gra të ndershme,” është shprehur politologu  Mustafa.

Kritikohet koalicioni qeverisës

Sadri Ramabaja njohës i çështjeve politike ka pohuar, se krijimi i koalicionit të ashtuquajtur “të madhe” PDK dhe LDK dhe Lista Serbe është produkt i logjikës së “tregut” politik.

Sipas tij, siç po merret vesh pas disa viteve, që produkt i marrëveshjes së 19 prillit 2013, ishte muri që po ndan edhe de fakto Mitrovicën, edhe humbja e këtij viti, që u përmbyll me vrasjen nga Shtetit e Astrit Deharit, është produkt i të njëjtës logjikë. “ Për mua koalicioni PDK dhe LDK është rikthim i politikës në vitet e para luftës, pra rikthim tek dialogu me Beogradin për rishikimin e statusit politik të Kosovës. Natyrisht në këtë rikthim, rol të dorës së parë kishin dhe kanë ndërhyrjet e qarqeve diplomatike dhe të Sigurisë nga Evropa (kryesisht Franca, Italia dhe Gjermania), në dobi të revizionimit të politikave të Brukselit ndaj Beogradit dhe boshtit ortodoks me ndikim brenda BE-së në tërësi”, ka thënë Ramabaja.

Ai ka vlerësuar se, marionetat e shërbimit serb (para së gjithash BIA-së) dhe shërbimeve të këtyre shteteve që tradicionalisht bashkëpunojnë me shërbimin serb, ka qenë parakusht tepër i rëndësishëm që Republika e Kosovës, konform interesave serbe, të bllokohet në procesin e saj drejt  funksionalizimit dhe faktorizimit të saj.  “ Përkushtimi i krejt aparatit shtetëror të Republikës tashmë të zënë peng, në dobi të dy temave të imponuara nga qarqet pro serbe në Bruksel, fjalën e kam për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (Zajednicës) dhe demarkacionit me Malin e Zi, flet qartë se kjo qeveri, de fakto, tashmë si tërësi, është duke vepruar në dobi të agjendës serbe. Ky fakt, nuk duhet ulur ndoshta në nivelin e “tregut “ politik, meqë aktet e kësaj natyre, në Kushtetutën e vendit, por edhe në Kodin Penal të Republikës, cilësohen dhe trajtohen si tradhti ndaj Shtetit. Si të tilla nëse nuk i trajton sot Prokuroria e Shtetit, do t’ i trajtoj në të ardhmen e afërt jo vetëm ky institucion i Drejtësisë së kapur nga dyshja president /kryeministër, por edhe nga historia” është shprehur Ramabaja.