Ballina Aktuale Vet e artë, shtëpinë e artë

Vet e artë, shtëpinë e artë

SHPËRNDAJE

Majlinda Kelmendi pa dyshim që është personaliteti i Kosovës për vitin 2016. Sportistja numër 1 e Kosovës me Medaljen e Artë të fituar në Olimpiadë bëri që ta ngrejë Kosovën në vendin e 54-të të ranglistës botërore olimpike. Ajo tashmë nuk ka lënë medalje të mundshme pa fituar, me të cilat i ka dhënë ngjyrë të artë edhe shtëpisë së saj në Pejë

Majlinda Kelmendi nuk do ta harrojë kurrë në jetën e saj vitin 2016.

Xhudistja pejane e arriti kulmin e karrierës, duke ua shtuar medaljen e artë olimpike, dy Medaljeve të Arta botërore dhe evropiane, shkruan gazeta Zëri.

Ajo e bëri krenar një popull, me suksesin e arritur në Olimpiadën e Rios, në pjesëmarrjen e parë dhe historike të Kosovës. Është gjysma e botës që nuk e ka shijuar kurrë medaljen e artë, kurse vendi ynë e shijoi një gjë të tillë me të parën, falë heroinës së saj.

“Viti 2016 ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën time”, ka thënë ajo, duke e përmendur edhe dhuratën më të mirë që ia bëri Kosovës për vitin që po shkon.

“Besoj se Medalja Olimpike është lajmi më pozitiv për Kosovën për këtë vit”, ka shtuar ajo, duke folur për rëndësinë e kësaj medaljeje.

Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe kosovare. Sidoqoftë, ajo beson dhe shpreson se në të ardhmen do të dalë një Majlindë e re në sportin kosovar, duke i sjell rezultatet e njëjta për vendin tonë.

Po medaljen e artë, ku është duke e lënë mbretëresha e sportit kosovar? A ia ka bërë asaj një vend special? “Ende jo, po e mbaj ende në kutinë e vetë”, përgjigjet duke buzëqeshur Kelmendi.

Nuk e shet medaljen as për 1 milion euro

Ndonjëherë dëgjojmë lajme për ish-sportistë apo edhe sportistë, që vendosin t’i shesin medaljet e tyre, për arsye të ndryshme.

Por, a do ta bënte një gjë të tillë edhe Majlinda, nëse do t’i ofroheshin 1 milion euro, në këmbim të Medaljes së Artë? Apo, me çka do ta ndërronte këtë Medalje?

“Jo kurrë, asnjëherë. Medaljen e Artë nuk do ta ndërroja me asgjë në botë. Ai është shpërblimi i punës sime plot 16 vjeçare”, insiston Majlinda.

Mund t’i përsërisë sukseset

Edhe pse ka fituar gjithçka në karrierë, xhudistja pejane nuk është ngopur ende me Medalje. Ajo po punon fort që t’i përsërisë sukseset e deritashme pasi e ka përpara ende një karrierë të gjatë.

“Në vitet në vijim shpresoj shumë që t’i përsëris të gjitha këto rezultate të mira. Mundem, pse jo”, shtoi ajo.

E famshme edhe në Brazil

Majlinda Kelmendin tashmë e njeh krejt bota. Ajo e ka treguar një ndodhi të pazakontë që i ka ndodhur në Brazil, pasi nuk e dinte se ishte bërë aq e famshme edhe atje.

“Vinin aq shumë njerëz nga e gjithë bota për të bërë fotografi me mua. Ka qenë mbresëlënëse”, përfundoi krenaria e sportit kosovar. /Zëri/