Ballina Aktuale Medvegjën e ka mbuluar bora dhe gjendja e jashtëzakonshme!

Medvegjën e ka mbuluar bora dhe gjendja e jashtëzakonshme!

SHPËRNDAJE

Moti i keq, me të reshura të dendura e stuhi bore, ka përfshirë edhe Komunën e Medvegjës, e cila po përballet me vështirësi qarkullimi, kryesisht në zonat malore.

Bora ka filluar të bie pa ndërprerë, që nga e mërkura e 4 janarit, për të vazhduar me një intensitet më të madh të enjten dhe të premten, me temperatura të ulëta deri në minus 17 gradë.

Nënkryetari i Komunës së Medvegjës Goran Ivanoviq, i tha JUGpressi, se reshjet e dëborës në fshatrat malore në këtë komunë, kanë arritur lartësinë deri në dy metra. “Rrugët kryesore janë duke u pastruar nga bora, por ka probleme me rrugët e fshatrave të largëta”, theksoi Ivanoviq.

Nga burime të sigurta informative të Jetapressit, për shkak telasheve nga bora është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në Komunën e Medvegjës. Rrugët e fshatrave malore janë bllokuar nga bora e orteku, të cilat kanë arritur lartësinë nga 50 cm deri në 2 metra. Megjithatë, sa i përket gjendjes së furnizimit të qytetarëve me rrymë është në suaza të normalitetit.

“Shtabi për emergjenca ka urdhëruar Kompaninë “Obnova” për pastrimin e rrugëve nga bora, duke angazhuar edhe disa kompani për mirëmbajtjen e rrugëve jashtë Komunës së Medvegjës, për të tejkaluar një gjendje te tillë alarmante”, i tha portalit informativ jetapress, Kadri Hyseni, anëtar i Shtabit për emergjenca, në Komunën e Medvegjës.