Ballina Aktuale KFOR-i për trenin: Qeveria e Kosovës nuk na ka kërkuar të ndërhymë

KFOR-i për trenin: Qeveria e Kosovës nuk na ka kërkuar të ndërhymë

SHPËRNDAJE

Kosova ende nuk ka kapacitete ushtarake pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është shndërruar ende në ushtri, prandaj mbrojtjen e sovranitetit ia delegon KFOR-it dhe nëse sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës shkelet atëherë është KFOR-i që pritet të ndërhyjë.

Por, për trenin që po vjen nga Serbia për në Kosovë në mënyrë ilegale dhe pa kërkuar leje nga autoritetet kosovare, KFOR-i nuk e ka ndërmend të ndërhyjë, pasi që atë nuk ia ka kërkuar askush, as Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj force në Kosovë, Max Barbacini, në një prononcim të shkurtër për Klan Kosovën ka pohuar se s’kanë pranuar kërkesë nga Ekzekutivi kosovar, për t’u marrë me këtë çështje.

“Nuk është në mandatin tonë të ndërhymë. Po ashtu, nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Nuk kemi pasur kërkesë as nga Qeveria e Kosovës për të ndërhyrë, apo për të intervenuar”, ka thënë Barbacini për Klanin.

E në rast se do ta kishin një kërkesë të tillë, KFOR-i do ta shqyrtonte atë.

“Nëse do të kishim pasur një kërkesë të tillë në këtë rast për të ndërhyrë, atëherë do ta shqyrtonim do ta analizonim dhe do të dilnim me një vendim”.

“Gjithsesi, KFOR-i është këtu për të ofruar siguri dhe për të krijuar një ambient të sigurt për qytetarët e Kosovës”, pohoi, zëdhënësi i KFOR-it.

Ardhjen e trenit me afishe e slogane kundër shtetit të Kosovës për Klan Kosovën e ka komentuar edhe zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kocijançiq.

Ajo ka deklaruar se jo vetëm kjo çështje, por edhe të gjitha problemet që dy vendet – Kosova e Serbia – i kanë mes vete duhet t’i zgjidhin me dialogë të përbashkët.

“Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, ka pohuar Kocijançiq, për Klan Kosovën.