Ballina Lajme Nga Rajoni Qeveria ta pamundësojë ardhjen e trenit serb në Kosovë, Serbia po përgatit...

Qeveria ta pamundësojë ardhjen e trenit serb në Kosovë, Serbia po përgatit befasi tjera

SHPËRNDAJE

Pas 18 vjetësh, Serbia po bëhet gati që nesër ta lëshojë në qarkullim trenin në linjën Beograd- Mitrovicë.

Lidhur me këtë çështje, autoritet e Kosovës përveç që e kanë cilësuar këtë si veprim ilegal, nuk kanë bërë të ditur se cilat do të jenë masat konkrete që do të ndërmarrin nesër që ta parandalojnë hyrjen e këtij treni në territorin e Kosovës.

Këtë veprim të Serbisë, njohës të çështjeve të sigurisë dhe analistët e shohin si provokim dhe agresion të radhës.

Burim Ramadani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se treni paraqet agresion, e se nuk është tren për qarkullim të njerëzve dhe mallrave.

“Në të njëjtën kohë, duhet marrë mbështetjen e prezencës ndërkombëtare ushtarake, për të arritur përpjekjet e përbashkëta për garantimin e stabilitetit dhe sigurisë kombëtare të Kosovës”, u shpreh Ramadani.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, e sheh si provokim ardhjen e këtij treni, duke theksuar se kjo përbën ndërhyrje dhe amortizim të institucioneve të vendit tonë. Në një prononcim për Telegrafin ai ka theksuar se viti 2017 do të jetë viti më sfidues për institucionet e vendit tonë, duke shtuar se shteti fashist serb dëshiron me çdo kusht të nxisë trazira në veri të Kosovës.

“Shërbimet inteligjente serbe janë duke bërë gjithçka për t’i realizuar skenarët e vet. Muri te ura, hedhja e bombës në objektin e Qeverisë së Kosovës, si dhe kjo e fundit kur me 14 janar vjen treni nga Serbia, janë provokime të rënda për shtetin e Kosovës . Në tren janë vendosur mbishkrimet provokuese, si ‘Kosova është Serbi’, si dhe përmbajte të tjera fyese. Ardhja e trenit, pa lejen e autoriteteve të Kosovës përbën ndërhyrje dhe amortizim të institucioneve të vendit tonë”, u shpreh Islami.

Islami theksoi se treni përveçqë është provokim, është edhe test për institucionet se nëse nuk ndalen nesër ku me ditë se me çka do të hyjnë herëve tjera.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj lëshimin në qarkullim të këtij treni e sheh si provokim të Serbisë.

“Serbia po i vazhdon provokimet, ngase e ka kuptuar se institucionet kosovare nuk reagojnë. Në vend se të ndërmerren veprime institucionale karshi këtyre akteve ilegale, Qeveria mjaftohet me komunikata e lutje Brukselit që të ndërhyjë”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.