Ballina Opinione Gruaja lind për të jetuar e lirë

Gruaja lind për të jetuar e lirë

SHPËRNDAJE

Shkruan: Linda Shahini

 Pothuajse çdo ditë dëgjojmë raste të dhunës në familje, ku një vajzë matlretohet, një grua tjetër rrahet nga bashkëshorti, majde ka raste edhe kur nga dhuna e madhe përfundon e vdekur. Dukuria e dhunës në familje po prek vajzat dhe gratë, pa marrë parasysh statusin e tyre social, ekonomik dhe arsimor. Kështu, Kosova si një vend në tranzicion, vazhdon të kultivojë një shoqëri maksimaliste dhe konservatore, duke bërë kështu që femra të jetë e shtypur në çdo aspekt, ani pse e ndalon ligji dhe deklarata për të drejtat themelore të njeriut.

Qysh nga kohët e lashta është thënia ” Gruaja është shtylla e shtëpisë”, në vendin tonë pak e gjen praktiken e kësaj thënie të urtë popullore. Ne ende jetojmë me dimensionet e thënies ” Burri vet zot, vet shkop”.

Vendi ynë vazhdonë të ketë shifra të mëdha të të keqtrajtuarit për gra, madje edhe të vrara, ani pse janë miratuar masa për dënime të saj. Dhuna ndaj grave, nuk është vetëm dhuna fizike shtazareske, por ajo fillon qysh nga ambientet shtëpiake, ato të punës duke vazhduar me joshjet e ngacmimet seksuale, përdhunimi e madje edhe deri tek vrasjet.

Ky fenomen tejet shqetësues, jo në rënie, por në rritje, është edhe si pasojë e referimit të traditave shumë vjeçare. Veq kësaj, është ndoshta edhe moszbatimi i ligjit nga ana e vet institucioneve, kur bëhet fjale për të denuar ushtruesit e dhunës, por shpesh herë edhe mospërkrahja familjare për viktimat e dhunës.

Ende në ditët e sotme, dhuna vazhdon të jetë një mjet ndëshkimi për gratë në familje. Ende një pjesë e shoqërisë, gruan e shohin si pronë, e cila duhet të jetojë sipas traditave, t’i bindet burrit dhe punë primare në jetë ka përkujdesjen shtëpiake. Dhuna ndaj gruas është produkt i mentalitetit të njerëzve primitiv e injorant dhe që të parandalohet duhet një vullnet i madhë pune nga të gjithë.

Kjo nuk është vetëm detyrë e ngritjes së zërit të femrës, por e tërë shoqerisë në përgjithësi, sepse dhuna ndaj gruas dëmton në radhë të parë familjen, pastaj shoqërinë dhe vlerat njerëzore.

Mbrojtja e gruas duhet të jetë legjitime në radhë të parë, duke vazhduar pastaj me format e tjera si, ato morale e njerëzore. Kundër dhunës duhet të punojmë të gjithë, së pari viktimat duhet ta paraqesin atë, institucionet duhet ta dënojnë përmes ligjit dhe njëkohësishtë duhet t’iu ofrojnë mbrojtje dhe ndihmë viktimave. Ndërkohë e gjithë shoqëria duhet të luftojë atë përmes formave të ndryshme.

Thjesht, të vetëdijesohemi se ky fenomen kaplues është frikësues dhe dëmtues edhe për brezat e ardhshëm të vendit.