Ballina Aktuale Mogherini përsërit: Palët të vendosura për uljen e tensioneve

Mogherini përsërit: Palët të vendosura për uljen e tensioneve

SHPËRNDAJE

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të radhës të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Bashkë me presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, dhe kryeministrat Aleksandar Vuçiq dhe Isa Mustafa, unë zhvillova një takim tjetër të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Mogherini pas takimit, transmeton Gazeta Express.

“Në takimin tonë sot ne kemi pasuar diskutimet që kemi zhvilluar në Dialog më 24 janar. Unë jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, ka thënë Mogherini.

“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe për Kosovën, por gjithashtu për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të përparuar drejt Bashkimit Evropian. Ai është i rëndësishëm për Evropën dhe për stabilitetin rajonal”, ka shtuar Përfaqësuesja e Lartë e BE’së.

Mogherini ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit sot kanë rikonfirmuar vendosmërinë e tyre të plotë për të bashkëpunuar në kuadër të Dialogut.

Ajo ka theksuar se diskutimi i zhvilluar sot ka qenë i sinqertë dhe konstruktiv.