Ballina Aktuale MYFTIU I KOSOVËS LINDORE, NEXHMEDIN SAQIPI, FIGURË EMBLEMATIKE KOMBËTARE DHE FETARE

MYFTIU I KOSOVËS LINDORE, NEXHMEDIN SAQIPI, FIGURË EMBLEMATIKE KOMBËTARE DHE FETARE

SHPËRNDAJE

Letër nga Berlini

 

Hoxhë Zekerija Idrizi, një klerik fetar nga Shkupi, i cili jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, këto ditë, ka shkruar një letër vlerësimi për veprimtarinë e Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, duke e falënderuar për misionin e tij fetar e kombëtar.

“Myftiu i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Efendiu Nexhmedin Saqipi, është figura më emblematike e organizimeve dhe aktiviteteve fetare dhe kombëtare. Duke qenë se e kam kolegë dhe mik, me të cilin kemi studiuar bashkë dikur, Nexhmedin Efendiu, është besimtar dhe patriot i devotshëm. Për më tepër, ai, është i përbetuar deri në vdekje mbi parimin e Rilindjes sonë Kombëtare “PËR ZOT E ATDHE!”, thuhet në fillim të shkrimit të Hoxhës nga Berlini, Zekerija Idrizi.

Në vazhdim të letrës Hoxhë Zekirjai, thotë me krenari: “ Në gjitha ndejat e bisedat, që kam patur me të, ai, me zemër e vëmendje të thellë ka kuvenduar me mua për fatet e Atdheut, për ardhmërinë e Kosovës Lindore dhe të mbarë SHQIPËRINË ETNIKE. Në bisedat tona, gjithnjë, bashkë i kemi pasur edhe kolegët: të ndjerin ef. Muvehid HEBIBI nga Presheva dhe ef. Gafur Zharku nga Shkupi…E, këto ideale, ai, i ka dëshmuar dhe vazhdon t’i dëshmojë akoma edhe sot”.

Gjitha organizimet humanitare për familjet e varfra e bonjake në Kosovë, thekson Hoxhë Zekirjai, i bënim bashkë me ef. Nexhmedinin dhe me Unionin tonë të Studentëve të Teologjisë në bashkëpunim me Klubin Bajram Curri në Sarajevë dhe veprimtarin e madh kombëtar z. Muharrem Zejnullahu, gjatë viteve 1989-1991.

Me kaq Hoxha nga Berlini nuk e përmbyll letrën e tij vlerësuese për portretin e Myftiut Saqipi: “Mandej dihet kontributi kapital i këtij Myftiu, gjatë luftimeve të rrepta në Kosovën Lindore, veçanërisht kur vitin 1999 iu kanos rreziku banorëve shqiptarë të Tërnocit, Nexhmedin Efendiu edhe jetën e tij e vuri në rrezik, duke ndihmuar bashkëvendësit e tij nga hordhitë ushtarako-policore serbe”.

“Është fat i madh për Kosovën Lindore, që ka një personalitet universal si Nexhmedin Efendiu, veprimtaria e të cilit është shumëdimensionale dhe me peshë kombëtare për kohën…Të jem i qartë në një gjë: Myftiu Nexhmedini zakonisht është fjalëpakë, por PUNON SHUMË. Nuk bën zhurmë, ndërkohë që bën punë e aktivitete praktike… Hobi i tij është sporti. Duke qenë se vet me vite ka ushtruar artin e karatesë, ai ndihmon jashtë mase shoqatat e klubet e sportit në vend”, shprehet Hoxha Zekerija Idrizi, nga Berlin, me origjinë nga Shkup, duke e përmbyllur letrën me respektin më të madh për Myftiun Saqipi dhe familjen tij, të përmendur për bujari, fisnikëri, patriotizëm dhe humanitet, njofton jetapress.