Ballina Lajme Nga Rajoni Fjalim i ashpër i djalit të Adem Jasharit: E keqja është shtrirë...

Fjalim i ashpër i djalit të Adem Jasharit: E keqja është shtrirë në institucionet e Kosovës

SHPËRNDAJE
Djali i Komandantit Legjendar Ademi Jashari, Lulzim Jashari ka qenë shumë kritik ndaj përfaqësuesve të institucioneve të vendit, të cilët tha po kërkojnë normalizim dhe pajtim me Serbinë dhe pyeti “si mund të ketë pajtim me ata që mundohen ta zhdukin Kosovë?”

Në Akademinë përkujtimore kushtuar 19 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, emër të familjes Jashari, foli Lulzimi, i cili tha se pas një historie të dhimbshme po bëhen dy dekada nga fitimi i lirisë dhe 9 vjet nga pavarësia.

Jashari tha se krenohen me ata që për ideal patën lirinë, por ai tha se sot Kosova përfaqësohet nga individë që nuk udhëhiqen nga idealet e atyre që ranë.

Lulëzim Jashari tha se deputetët, e përfaqësuesit e institucioneve kanë harruar traditën, pasi shqiptarët kanë ditur të tregohen syqelë dhe porositi se  e kështu duhet të tregohen edhe tani.

Jashari tha se qeveritarët po e lënë Kosovën pa fytyrë, sepse siç tha institucionet e Kosovës po kërkojnë normalizim dhe pajtim me Serbinë. Ai pyeti se si mund të ketë pajtim me ata që mundohen ta zhdukin Kosovën, me ata që nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra?

Ai vlerësoi se sot e keqja është shtrirë në institucionet e Kosovës, e cila duhet të ndalohet.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli tha se sakrifica e familjes Jashari ishte e pashembull që historia e Kosovës, por as asaj botërore, nuk kishte parë një sakrificë të tillë.

Ai në Akademinë përkujtimore kushtuar 19 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, tha se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësish do t’u jetë mirënjohës të gjithë atyre që dhanë gjakun për lirinë e qytetarëve të Kosovës.

Demolli theksoi se vlerësimin e luftës së UÇK-së nuk mund ta zbehin gjykatat ndërkombëtare, e as speciale, pasi lufta e saj ka qenë luftë çlirimtare.

Ai shtoi se më 17 shkurt 2008, mbi sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ministri Demolli pohoi se ata do të marrin përgjegjësitë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore:

Ne sot, 19 vjet pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj e kishte kapluar pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherë njihet edhe si marsi i lavdisë kombëtare.

E bëri këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte Kosovën nga okupimi shekullor.

Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë  historia jonë kombëtare por as ajo botërore, as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.

Kjo luftë, shërbeu si një frymëzim i jashtëzakonshëm për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit.

Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98,  ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra të vendit tonë.

Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së komandantit legjendar dhe  formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë,  ndikuan që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën për çlirimin e Kosovës, fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetërorë serb të kryer ndaj  popullit tonë liridashës.

Të gjitha këto zhvillime, rezultuan me organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila u pasua  me bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati kapitullimin e Serbisë dhe çlirimin përfundimtar  të Kosovës.

Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.

Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze ia shtyu edhe për një muaj ndalimin në shtetin e Francës, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.

Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.

Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.

Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore e vrastare të pushtuesit shumëshekullor, pra të Serbisë.

Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkojmë nga të gjithë akterët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.

Në shkurt të viti 2008  mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë,  Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj.

Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u themelua edhe  Forca e Sigurisë së Kosovës, , që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur.

Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë  së lavdishme të UÇK-së,  shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën  e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha  veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë.

Që ky transformim është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë, i Rezolutës për  FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.

Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe  anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.

Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura,  paraqet plotësimin e një dëshire tjetër  të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe akterëve tjerë të sigurisë, do të ngritin shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike do të përmbush edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Konkretisht do të angazhohemi për ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron  të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.

Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në NATO dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të  bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.

Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.

Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve  të tij.

Lavdi familjes së madhe Jashari.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit.

Ju faleminderit.