Ballina Aktuale Pritje madhështore e presidentit Nishani në Luginë

Pritje madhështore e presidentit Nishani në Luginë

SHPËRNDAJE

Me mijëra qytetarë shqiptarë mbushën rrugët, sheshet e trotuaret e Bujanocit dhe Preshevës, për të pritur me dinjitet dhe bujari, Bujar Nishanin, presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Nuk mbahet mend, në këto anë të Luginës së Preshevës, të jetë pritur kaq madhërishëm një burrështetas si presidenti Nishani.

Ngjyrat e ndezura kuq e zi, flamujt kombëtarë, panotë, bilbordet dhe mbishkrimet “Mirë se vjen, President!”, të shoqëruara me tingujt e këngëve tona burimore shqipe dhe duartrokitjet të pandërprera, janë treguesit e qartë se me çfarë emocionesh e ndjenjash të përziera vëllazërorë, është pritur kryetari I shtetit amë, Bujar Nishani.

Rrugët që sillnin presidentin Nishani në drejtim të godinës së Komunës së Bujanocit, duke filluar nga Konçuli e deri në Tërnoc, nga të dy anët stoliseshin me flamuj kombëtarë dhe bilborde.

Ishte një gëzim i paparë. Pas 69 vjetësh nga viti 1948, kur ish kryetari i Shqipërisë së atëhershme Envor Hoxha, i cili e vizitoi Beogradin, në kohën e Mareshalit Tito, askush tjetër në nivel të presidencës, pos kryetarit aktual Bujar Nishani, nuk e ka vizituar Luginën.

 

Pritja madhështore

Në hyrje të godinës së Komunës së Bujanocit, kishin dalë në pritje nikoqirët: kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, deputeti popullor Fatmir Hasani e shumë personalitete nga jeta politike vendore e rajonale.

Fillimisht presidenti Nishani u përshëndet me qytetarët e Komunës së Bujanocit, të cilët kishin mbushur sheshin dhe rrugën që shpinte te hyrja e Komunës, për të vazhduar takimet zyrtare sipas protokolit.

Takimi i presidentit Nishani, u zhvillua me shumë ndërrime, për shkak prezencës së shtuar të përfaqësuesve institucionalë dhe partiak, duke filluar me ata të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës, duke llogaritur edhe takimin me zyrtarët e Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq.

 Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili ishte edhe kumbara i iniciativës për një vizitë kaq historike, pasi falënderoi vëllazërisht ardhjen e presidentit Nishani, duke e vlerësuar lart një vizitë të tillë, mes tjerash tha: “Kjo vizitë shkon në interes të përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore për të udhëtuar bashkërisht në të gjitha vendet e Ballkanit, drejt Bashkimit Evropian”.

Po kështu u shpreh edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu, duke e krahasuar vizitën si një sinjal të mirë, që në të ardhmen problemet e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë të zgjidhen me angazhimet e përbashkëta të qeverisë së Shqipërisë dhe Serbisë, ngase sipas tij, Shqipëria me Kushtetutë e ka të rregulluar përkujdesjen ndaj shqiptarëve jashtë territorit të saj”.

Identiteti kombëtar

“Ne e konsiderojmë komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur çështjet e identitetit të tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre si një simbol i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin shqiptar”, tha me bindje të thellë presidenti Nishani.

Presidenti shqiptar, gjithashtu, gjatë këtij takimi me liderët institucionalë e partiakë të Luginës së Preshevës, ka theksuar rëndësinë e promovimit të bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit mes shtetit serb dhe atij shqiptar në këtë rajon dhe se kjo është tokë kreshnike.

“Republika e Shqipërisë mbetet e interesuar dhe e angazhuar për të ndjekur me shumë vëmendje realizimin e të gjitha të drejtave që i takojnë pakicës shqiptare në Serbi, të gjithë shqiptarë në Luginën e Preshevës, atyre në Komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Të drejtat për arsimim në gjuhën e tyre, të drejtat për respektimin e simboleve kombëtare, të drejtat për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të infrastrukturës, të cilat tashmë janë edhe çështje të diskutimit të programit mes dy qeverive, të Serbisë dhe të Shqipërisë”, porositi Nishani.

 Rruga e shkronjave

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, presidentit Nishani, iu bë një pritje madhështore në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc.

Kjo ditë e shënuar për Mësuesin dhe shkollat shqipe në përgjithësi, u shoqërua me një program të ngjeshur arsimor e kulturor.

Atmosfera e këndshme nga ambientet shkollore u bart në Restorantin “Breta”, që lidh natyrshëm Tërnocin me qytetin e Bujanocit. Në sallën luksoze të këtij restoranti ishin mbledhur me qindra përfaqësues nga jeta politike, kulturore, arsimore etj.

Fjalimi i presidentit Nishnai, vlerësohet të jetë epokal. Ata që e dëgjuan nga brena drejtpërdrejtë dhe nga jashtë përmes valëve të mediumeve elektronike, u mbushën plot frymëzim e kurajo për vazhdimin e rrugëtimit për një jetë më të përsosur të komunitetit autokton shqiptar në këto hapësira.

Edhe më të begatshme këtë pritje ekstra solemne e bënë prania e klerit fetar mysliman të drejtuar nga Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi e shumë veprimtarë të tjerë nga jeta e shoqërisë civile në Bujanoc e rrethinë.

Me kaq vizita e presidentit Nishani nuk mbaron.

Pritja preshevare

Në Preshevë, po me aq mirësi u prit presidenti Nishani. Sheshi përpara Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, ishte e mbushur përplot më qytetarë.

Përfaqësues të jetës institucionale dhe partiake, duke filluar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi e zyrtarë të tjerë komunalë, kishin dalë në pritje të presidentit.

Atmosfera edhe më shumë u impresionua kur këngëtari i njohur preshevar, njeriu i artë Gold AG, siç e quajnë ndryshe, Arian Agushi, me këngëtarët e tjerë të veshur kombëtarçe, ia vunë mbi kokë të dy kryetarëve nga një plis të bardhë: Bujar Nishanit dhe Shqiprim Arifit.

Vlen të theksohet se vizita e presidentit Nishani në Luginë të Preshevës, pa ti jehonë të madhe dhje do të mbahet gjatë në mend si një vizitë e rëndësishme historike. Kjo vizitë nuk kaloi edhe pa jenë në qarqe të ndryskme të Beogradit, e cila nxiti që të japin deklarata edhe nga vet kryeministri Vuçiq./jetapress/