Ballina Aktuale Ndahet nga jeta i riu Abelard Kamberi

Ndahet nga jeta i riu Abelard Kamberi

SHPËRNDAJE

Në një moshë fare të re, pa i mbushur akoma 21 pranvera, ndërroi jetë i riu nga Tërnoci Abelard Kamberi.

Lajmi i hidhur për humbjen e papritur të Abelardit, mbushi pikëllim jo vetëm familjarët e farefisin, por edhe të tjerët që e njohën për mes bankave shkollore e studentore.

Vdekja e hershme e Abelardit u përshkua nga një varg ngushëllimesh të shumta, të cilat erdhën në adresë të familjes Kamberi.

Në rrjetin e tij social, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili Abelardin e kishte djalë të vëllait shkruan: “ Ju familjarë, miq e dashamirë të nderuar, që na qëndruat pranë në këtë betejë të gjatë e të mundimshme për ta shpëtuar Abelardin, nga zemra ju falënderoj dhe u jemi mirënjohës në jetë të jetëve. Uroj që Allahu i Madhërishëm të mos lejojë kurrë sprova të këtilla në familjet tuaja”.

Varrimi i të ndjerit, dritë pastë, Abelard Kamberi, do të bëhet sot (e mërkurë) më 15 mars në varrezat qendrore në Tërnoc me Namazin e Drekës./jetapress/

Në vazhdim po e japim një poezi elegjike kushtuar Abelardit:

 

ELEGJI

ABELARDIT

Luleborat e para

Me gjithë bardhësinë

Për një çast e ndalën

Pranverën n’Luginë

 

Në prag të një stine

N’kulm të lumturisë

Këputet dhe një lule

N’lulen e rinisë

 

Niset për amshim

Në rrugën pa kthim

Duke lënë nga prapa

Një jetë me kujtim

 

Të ëmbël të dashur

Si një vepër arti

Tamam engjëllor

Siç ish Abelardi

 

Dhe ndahet nga jeta

Që e deshi shumë

Me një det kujtimesh

Që rrjedhin si lumë

 

Që s’kanë për tu shuar

As të zverdhen kurrë

Si lule Tërnoci

Që shkëlqen si nur

 

Kaltrina Hyseni