Ballina Lajme Nga Bota Sulmi terrorist në Londër: Turqia solidarizohet me Britaninë

Sulmi terrorist në Londër: Turqia solidarizohet me Britaninë

SHPËRNDAJE
Presidenti Erdoan ka deklaruar se e dënon me forcë sulmin terrorist që ndodhi të mërkurën në kryeqytetin britanik, Londër.

Në lidhje me sulmin terrorist në Londër, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) postoi mesazhe në turqisht dhe anglisht përmes llogarisë së tij në median sociale Twitter.

Në mesazhin e tij Erdoan thotë se e dënon me forcë sulmin terrorist në Londër. “Si Turqi, ne e ndjejmë thellësisht dhimbjen e Britanisë së Madhe dhe e ndajmë atë”, shkruan Erdoan.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e personave që kanë humbur jetën në këtë ngjarje të dhimbshme dhe për popullin mik të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Turqia është në solidaritet me mikun dhe aleatin e saj, Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër terrorizmit, i cili përbën një kërcënim të madh për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”, vijon mesazhi i presidentit turk.

Ndërkaq për shkak të sulmit terrorist në Londër Presidenti Erdoan i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryeministres britanike, Theresa May. Edhe në këtë mesazh Erdoani thotë se “Turqia është gjithmonë në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër terrorizmit”.

Një mesazh ngushëllimi për sulmin terrorist në Londër, Kryeministres Theresa May i ka dërguar edhe Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım).

“Ndaj thellësisht dhimbjen tuaj përballë sulmeve terroriste të urryera që shkaktuan humbje jetësh dhe plagosjen e shumë njerëzve në Londër”, shkruan Jëlldërëm në mesazhin e tij, dhe përcolli ngushëllimet në emër të qeverisë dhe popullit turk, si dhe uroi shërbim të shpejt për të plagosurit.

“Ky sulm ka treguar edhe një herë se sa e domosdoshme është vazhdimi me vendosmëri dhe efektivitet i bashkëpunimit në luftën kundër çdo lloji të terrorit”, vijon mesazhi i Kryeministrit Jëlldërëm.

Edhe ministri i Punëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kryenegociatori Omer Çelik ka bërë një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale në lidhje me sulmin terrorist të kryer të mërkurën në kryeqytetin e Anglisë, Londër.

Në mesazhin e tij Çelik e mallkon këtë sulm dhe shkruan: “Mallkojmë sulmin terrorist në kryer në Angli. Homologut tim britanik, Alan Duncan i përcolla mesazhin tonë solidarizues. Terrorizmi përbën kërcënim për të gjitha vendet. Duhet zhvilluar një luftë totale pa bërë dallim ndërmjet organizatave terroriste”.

Sulmin në Londër e ka mallkuar edhe ministri i Drejtësisë, Bekir Bozda (Bekir Bozdağ), i cili në mesazhin e tij nënvizon se terrori, organizatat terroriste dhe terroristët janë problemi i përbashkët i vendeve dhe njerëzimit.

Kurse Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) e ka dënuar me forcë sulmin terrorist në Londër.

“Turqia, një vend që është kundër çdo lloj terrori, ndodhet pranë Anglisë”, thotë Kallën në mesazhin e tij.

Sulmin në Londër e ka dënuar përmes një komunikate me shkrim edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

“Duke theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit global në luftën kundër terrorizmit, rikonfirmojmë se do të vazhdojmë me vendosmëri solidaritetin tonë me shoqërinë ndërkombëtare dhe aleatët tanë në përpjekjen kundër çdo lloj mentaliteti që ushqehet nga kultura e terrorit dhe dhunës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme turke.