Ballina Aktuale Vizita e Lutfi Hazirit, në Luginë të Preshevës

Vizita e Lutfi Hazirit, në Luginë të Preshevës

SHPËRNDAJE

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në javën e dytë të prillit, vizitoi zyrtarisht Bujanocin dhe Preshevën, i shoqëruar nga udhëheqësi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd Valdet Sadiku, kryetari i Lëvizjes “Vatra” Kushtrim Kadriu dhe Xhelal Shaqiri.

Qëllimi i kësaj vizite, e cila vjen pas një periudhe të gjatë 20 vjeçare, ishte intensifikimi i iniciativës së Lutfi Hazirit, për bashkëpunim ndërkufitar mes komunave: Gjilan, Preshevë dhe Kumanovë, projekt ky i mbështetur nga ndërkombëtarët, në kuadër të mikroregjionit europian.

Kryetari i komunës më të madhe në Anamoravë, Lutfi Haziri, fillimisht u takua me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputetin popullor Fatmir Hasani, me ç’rast mbajtën një konferencë për gazetarë, duke e vlerësuar lartë takimin ndër-komunal.

“Është kënaqësi t’a pres kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri, njëkohësisht është edhe vizita e parë zyrtare e ndërsjellë e dy komunave, me interesa të veçanta të përbashkëta në bashkëpunimin rajonal në nivel të procesit të integrimeve të BE-së, por edhe në projektet e tjera, që do të tentojmë t’i shfrytëzojmë edhe IPA fondet e bashkëpunimit ndërkufitar, por edhe fondeve tjera që kanë për qëllim ngritjen e rajonit të Anamoravës” – deklaroi, Shaip Kamberi, kryetar komune në Bujanoc.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi për gazetarët se: “Bujanoci është njëra prej komunave, që ka peshën e madh në nivel ndër-komunal dhe ndër-regjional, që ne kemi instaluar prej disa viteve ku marrin pjesë në bashkëpunim: Gjilani, Kumanova, Bujanoci dhe Tërgovishta. Besoj se Bujanoci, do të jetë anëtar i barabartë i disa organizatave ndërkombëtare, që kanë për qëllim ngritjen e demokracisë në nivel lokal dhe financimin e projekteve të ndryshme”.

Delegacioni nga Gjilani, vizitoi edhe Preshevën, duke zhvilluar takim miqësor me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani e shoqëruar nga Sami Salihu, kryetar i Kuvendit Komunal, Xhelal Mehmeti, nënkryetar, Nader Sadiku dhe Edita Asllani.

Gjatë takimit, ata u dakorduan rreth nevojës jetike, institucionet kosovare, të përkujdesen më shumë rreth  Komunës së Preshevës dhe komunave tjera simotra në Luginë.

Lutfi Haziri, gjatë diskutimit të tij, u zotua se do të punojë në intensifikimin e iniciativës për bashkëpunim ndërkufitar mes komunave Gjilan, Preshevë dhe Kumanovë, të filluar nga koha kur Riza Halimi ishte kryetar i komunës së Preshevës, në kuadër të mikro-regjionit europian, një mundësi e mirë për integrime evropiane.

“Ky hap do të mundësonte që të realizohet premtimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa për ndihmë ekonomike Preshevës, dhënë në takimin e fundit të tij me kryetaren Sinani, që nënkupton se donacionet e  Kosovës për Komunën e Preshevës, do të bëhet përmes Komunës së Gjilanit, duke tejkaluar pengesat juridiko-politike mes Kosovës dhe Serbisë”, thekson mes tjerat kryetari Haziri.

Në kuadër të këtij takimi, Ardita Sinani dhe Lufti Haziri, u zotuan se së shpejti në Luginë të Preshevës, do të organizohet një vizitë e Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, e cila do të mundësonte planifikimin e donacioneve të Qeverisë së Kosovës, për Komunën e Preshevës dhe Luginën në përgjithësi.

Në fund, vizita e Lutfi Hazirit u përmbyll në fshatin Nesalcë, të Komunës së Bujanocit, vendbanim, për të cilin, ai, ruan kujtime të veçanta.

“Në Nesalcë, ka shërbyer gjyshi im, dhe po ashtu ka ndërruar jetë në këtë fshat, më 8 nëntor të vitit 1944, në përpjekje të çështjes kombëtare, ku ka rënë dëshmor, dhe si i tillë, jam i nderuar që jam pasuesi i tij”, tha me emocione kryetari Haziri.

Vlen të theksohet se Lutfi Haziri, në cilësinë e deputetit popullor, në Parlamentin e Kosovës, në vitin 2013, pat inicuar për miratim një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me të cilën Kosova do të kishte detyrim mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Po ashtu z. Haziri, propozoi që të hapen zyrat për Luginën e Preshevës në Gjilan dhe Prishtinë, zyra që do të trajtojnë të drejtat civile për gjithë qytetarët nga Lugina, që për shkak të problemeve ligjore në Kosovë nuk trajtohen barabarësisht. Zyra u bë funksionale në Gjilan, ku drejtohet nga Lutfi Haziri, por jo edhe në Prishtinë./jetapress/