Ballina Lajme Nga Rajoni Bie Qeveria e Kosovës, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja…

Bie Qeveria e Kosovës, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja…

SHPËRNDAJE

Shpërbërja e Parlamentit të Kosovës, solli rrëzimin e Qeverisë dhe po drejton vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo është dashur të bëhet më herët, në mënyrë që institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit dhe koalicionet qeverisëse, mos të turpërohen dhe degradohen para pozitave të tyre dhe elektoratit, të zhgënjyer me veprimet institucionale.

Që nga paslufta e këndej, Kosova nuk ka pasur koalicion më të shpifur se ky aktual, i cili prodhonte probleme artificiale, shantazhe dhe obstrukcione, duke bllokuar proceset,  nga të cilat pësonin qytetarët dhe elektorati. Koalicioni i luhatshëm mes dy partive më të mëdha në Kosove: PDK-LDK, forcoi opozitën e cila me pedantëri shfrytëzonte huqet e qeverisjes, për ta bllokuar jetën institucionale në vend.

Disa nga proceset vitale të Kosovës, siç ishin çështja e demarkacionit, asociacionit dhe formimit të ushtrisë, u shoqëruan shpesh në institucionin më të lartë në shkallë republike, me gaz lotsjellës, gjuajtje të vezëve, fishkëllima dhe ovacione, nga më të ulëtat për imazhin e një vendi.

Koalicioni i shpërbërë qeverisës, sa do që është një lajm i keq për Kosovën, ai duhet të përshëndetet, që përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të fitojnë ata që vërtetë e meritojnë dhe veprojnë për të mirën e popullit.

Lidhur me zhvillimet e fundit parlamentare në Kosovë, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, ka një mesazh të qartë për bashkëkombësit e tij, që të jenë të kujdesshëm gjatë zgjedhjeve të ardhshme, që priten të mbahen në qershor të këtij viti. Ato duhet të jenë të qeta, fer dhe demokratike, në mënyrë që problemet e mandatit të kaluar të mos na përsëriten kurrë.

Sa i përket qytetarëve të Luginës së Preshevës, që në masë të madhe janë të koncentruar në Gjilan, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe në disa qendra të tjera, Myftiu Saqipi, ka një porosi, që ata të jenë të vëmendshëm për kë të votojnë në mënyrë që vullneti i tyre politik, të mos manipulohet dhe keqpërdoret për qëllime të ngushta partiake, ngase me një Qeveri çfarë kishte Kosova, nuk i kënaqte nevojat e vendit e lëre më të Luginës së Preshevës, njofton jetapress.